E veja e një oficeri policie në pension, i cili u vra gjatë trazirave të Black Lives Matter në SHBA ka akuzuar miliarderin hungarezo-amerikan Soros e zv.presidentes Harris për gjendjen në të cilën ndodhet policia e sistemi penal në vend.
Në një intervistë me gazetën amerikane Breitbart, Ann Dorn tregoi se si i shoqi, edhe pse ishte ‘në pension nga policia asokohe’, ishte ende vullnetar e shërbente si ‘pika e kontaktit’ për alarmin e dyqanit peng të një miku.
Në natën e 1 qershorit 2020, trazirat shpërthyen në të gjithë St. Louis, Misuri, me alarmin që ra mëngjesin tjetër, sipas gruas. Ajo u tha gazetarëve se burri i saj kishte vendosur të shkonte të kontrollonte dyqanin e mikut, pavarësisht se ishte i vetëdijshëm se ‘qyteti ishte goditur nga dhuna dhe rrëmuja’.
Siç shpjegoi zonja Dorn, pas mbërritjes, bashkëshorti i saj pa protestuesit brenda dyqanit dhe u kërkoi të largoheshin, gjë që sipas saj, i kushtoi atij jetën. Ajo citohet të ketë thënë se një burrë i quajtur Stephen Cannon qëlloi me armë bashkëshortin e saj.
E veja e quajti bashkëshortin e saj një superhero, duke vënë në dukje se ka edhe persona të tjerë super të këqij në botën e vërtetë ‘si njeriu që vrau burrin tim’, por edhe ‘njerëz si miliarderi George Soros, i cili përdori fuqinë dhe ndikimin e tyre për të nxitur politikën ekstreme dhe ndezi flakët e ndarjes’.
Zëvendëspresidentja Kamala Harris mund të karakterizohet gjithashtu si një person tejet i keq, tha gruaja, pasi Harris ‘mblodhi para për fondet e dorëzanisë së rebelëve’.
Gruaja vuri në dukje gjithashtu ‘drejtorët ekzekutivë të kompanive të shquara që dhanë mbështetjen dhe paratë e tyre për këtë’, duke pretenduar se nëse një organizatë e huaj do siguronte fonde për ‘trazirat mbarëkombëtare në SHBA’, ndoshta duhet të ishte përcaktuar si një ‘organizatë terroriste’.
Zonja Dorn përfundoi duke thënë se burri i saj ‘u vra sepse njerëzit që supozohej të mbronin rrugët tona, oficerët e policisë në detyrë, u urdhëruan të mos bënin punën e tyre’.
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani