Një burrë italian është diagnostikuar me HIV, Covid-19 dhe linë e majmunit njëkohësisht, rasti i parë i njohur i bashkimit të këtyre tre sëmundjeve virale, ka raportuar Journal of Infection.
Sipas një shkrimi të botuar nga qendra mjekësore të premten e kaluar, mashkulli 36-vjeçar kaloi pesë ditë në Spanjë në qershor të këtij viti, duke pasur më pas ethe të shoqëruar me dhimbje fyti, lodhje dhe dhimbje koke nëntë ditë më vonë.
Një test i mëpasshëm dha një rezultat pozitiv për Covid-19. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, një skuqje u shfaq në krahun e majtë të pacientit menjëherë pas kësaj, me vezikula të vogla dhe të dhimbshme që u përhapën në trupin e burrit në ditët në vijim.
Burri kërkoi ndihmë mjekësore dhe u shtrua në një njësi të sëmundjeve infektive. Pacienti u tha mjekëve se kishte pasur ‘marrëdhënie pa prezervativ me burra’ gjatë qëndrimit të tij në Spanjë.
Duke marrë parasysh pamjen e pustulave që tregojnë për linë e majmunit, mostrat e lëngut që përmbanin vezikulat u dërguan për t’u testuar për virusin dhe gjithashtu rezultuan pozitive.
Testet e mëvonshme u kryen për të kontrolluar nëse individi ishte i infektuar me hepatit viral, herpes simplex, gonorre, klamidi dhe limfogranuloma venereum. Asnjë nga këto sëmundje seksualisht të transmetueshme nuk u identifikua. Megjithatë, një test HIV-1 doli pozitiv.
Megjithë kombinimin e sëmundjeve të rrezikshme, trajtimi i administruar nga mjekët italianë bëri që pacienti të shërohej relativisht shpejt, me shenja të dukshme të lisë së majmunëve që u zhdukën pothuajse plotësisht brenda dhjetë ditësh.
Mjekët vunë në dukje se, duke pasur parasysh mungesën e provave, është e vështirë të thuhet në këtë pikë nëse ky kombinim i viruseve domosdoshmërisht përkeqëson gjendjen e një pacienti.
Artikulli thekson se, duke pasur parasysh përhapjen e shpejtë të lisë së majmunëve dhe pandeminë e vazhdueshme Covid-19, mjekët në mbarë botën duhet të jenë të vetëdijshëm se si simptomat e këtyre dy sëmundjeve mund të mbivendosen dhe të bashkëjetojnë.
Autorët theksuan gjithashtu se profesionistët mjekësorë duhet të marrin parasysh ‘zakonet seksuale’ të pacientit dhe historinë e udhëtimit. Nëse dikush rezulton pozitiv për linë e majmunit, rekomandohet një ekzaminim i plotë për infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme, përfundon shkrimi.