Blogerja ruse Svetlana Valeryevna Timofeyeva e arrestuar para disa ditësh pas incidentin në Uzinën e Gramshit është futur në listën e personave në kërkim ndërkombëtar nga Moska.
Një gjykatë në Moskë ka lëshuar fletarrestim për Timofeyeva-n me akuzën për marrjen e paligjshme të informacionit sekret që përbën një sekret shtetëror. Sipas medieve ruse, njoftimi u bë nga zyra e shtypit e gjykatës të enjten e datës 25 gusht.
“Afati i ndalimit është dy muaj nga momenti i ndalimit të saj në territorin e Rusisë, ose nga momenti i ekstradimit ose deportimit të saj në Rusi. Gjykata gjithashtu e vendosi Timofeyevën në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë.”– raporton media ruse. Vendimi u mor në mungesë, duke qenë se rusja ndodhet në Shqipëri.
Siç shkruan TASS, “Timofeyeva është e përfshirë në një çështje penale të nisur sipas paragrafit ‘a’ të pjesës 2 të Artikullit. 283.1 të Kodit Penal të Federatës Ruse (marrja e paligjshme nga një grup personash të informacionit që përbën sekret shtetëror me rrëmbim, mashtrim, shantazh, shtrëngim, kërcënim për dhunë ose në ndonjë mënyrë tjetër të paligjshme).”
Data e saj e lindjes, 18 mars 1989, përkon me datën e lindjes së fotografes-blogeres Svetlana Timofeyeva e ndaluar këtë javë në Shqipëri.
33-vjeçarja ruse u ndalua teksa po përpiqej të hynte në një fabrikë ushtarake në Gramsh. Kështu bëri të ditur më 20 gusht Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë.
Së bashku me të, u arrestuan 23-vjeçarin rus Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fedir Alpatov. Të arrestuarit u shpjeguan oficerëve të zbatimit të ligjit se po fotografonin objekte të braktisura si blogerë.
Në të vërtetë, Timofeeva në blogjet e saj me pseudonimin Lana Sator publikoi fotografi të njësive ushtarake të braktisura, zonave të kufizuara, bunkerëve, fabrikave dhe institucioneve në rrjetet sociale. Fotot në blogun e saj janë realizuar nga më shumë se 30 vende, duke përfshirë nga Islanda, Italia, Bullgaria.
Media ruse shkruan se ambasadori rus në Shqipëri, Mikhail Afanasyev, beson se ndalimi i shtetasve rusë nga pala shqiptare është i natyrës politike, “pasi pa pritur një hetim të plotë, ata janë shpallur spiunë dhe agjentë të Moskës”. Ai gjithashtu vuri në dukje se dispozitat e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore nuk u zbatuan, përkatësisht, autoritetet shqiptare nuk dhanë informacione për ndalimin e rusëve.