Shqiptarët kanë zgjedhur masivisht të pushojnë jashtë Shqipërisë këtë korrik duke shënuar një rekord për daljet e regjistruara që ishin rreth 556 mijë.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për lëvizjet e shtetasve në muajin korrik tregojnë se daljet shënuan një rekord në raport edhe me vitin që mbante deri tani shifrën më të lartë që ishte 2019. Kjo rritje e korrik 2022 me atë të vitit 2019 ishte me të paktën 8 për qind.
Të marra si 7 mujor daljet e shtetasve shqiptarë llogariten në mbi 3 milionë duke qëndruar në nivelin 3 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 që është aktualisht viti me shifrën më të lartë të daljeve në 7 muaj.
Një tendencë e tillë e daljeve masive ishte e pritshme në kushtet kur mbyllja përgjatë dy viteve të pandemisë i kufizoi lëvizjet dhe detyroi shqiptarët të pushojnë kryesisht brenda vendit.
Një tjetër element që duket se ka ndikuar ishte perceptimi i çmimeve të larta të pushimeve në vend por edhe ofertave agresive të ofruara nga vende të tilla si Turqia, Greqia, Mali i Zi për pushime “all inclusive”.
Daljet e shtetasve
“Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Korrik 2022, janë 1.869.366, duke shënuar një rritje me 28,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Korrik 2022 janë 555.978. Krahasuar me Korrik 2021, ky numër është rritur me 16,8%.
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Korrik 2022, janë 1.313.388. Krahasuar me Korrik 2021, ky numër është rritur me 33,5%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatë mujorit 2022, është 3.075.511, duke u rritur 41,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare” vlerëson INSTAT.
Publikimi gjithashtu nënvizon se numri i shtetasve që kanë dalë:
– Nga pikat ajrore është rritur me 2,4 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;
– Nga pikat detare është rritur me 79,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;
– Nga pikat kufitare tokësore është rritur me 33,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor