Në ceremoninë e sotme të organizuar në nderim të tij, boksieri Florian Marku njoftoi se sëbashku me qeverinë, po mendojnë të hapin një rrjet palestrash nën mbiemrin e tij në të gjithë Shqipërinë.
“Vetëm diçka dua t’i them rinisë, kurrë mos u dorëzoni. Edhe dita juaj ka për të ardhur, siç jam sot unë. Faleminderit të gjithëve. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Edhe diçka doja të thoja, me ndihmën e kryeministrit dhe kryebashkiakut, kemi diskutuar për të lançuar palestra të reja në gjithë Shqipërinë me mbiemrin Marku. Do jenë palestra boksi dhe palestra sporti të tjera nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë.” – tha Marku.
Gjatë fjalës së tij, Marku tregoi se si fillimisht është stërvitur në kick boks në shtetin grek, sepse ishte pa letra dhe në këtë sport i kontrollonin më pak.
Më pas ai rrëfeu edhe një histori se si ka rënë pre e një mashtrimi për të ikur dhe për të nisur karrierën në Angli, ku do e kishte çdo gjë gati. Por nuk ka rezultuar kështu. Megjithatë ai mbërritjen në Angli e shfrytëzoi dhe shqiptarët nuk e zhgënjyen duke i mbushur sallat plot.
“Më thanë, më ftuan në Angli, eja se do i kesh të gjitha gati. Shtëpi, makinë, dhe palestër. Kur arrita në Angli, çdo gjë ishte mashtrim. Shkova e takova promotorë, por askush nuk besonte. Më pas gjeta dikë, dhe ia mbusha mendjen.
Aty u mblodhën 2 mijë veta. Pati sukses. Kudo ku jam ndeshur, e kanë mbushur shqiptarët plot ambientet. Asgjë nuk është fat në jetë, do shumë punë dhe sakrifica. Askush nuk është rastësisht aty, duhet shumë mund. O e meritojë unë, o se meriton askush. Ju se dini se ça kam arritur. Dashuria e madhe që kam për sportin, më ka bërë të jem këtu ku jam. I them të gjithë të rinjve që duan një sport, kurrë mos u dorëzoni. Me ndihmën e kryeministrit dhe kryebashkiakut, do hapim palestra në të gjithë vendin me mbiemrin Marku.”– tha ai.