Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të emërojnë një ambasador për Arktikun, pas rritjes së aktivitetit ushtarak rus në rajon.
Ambasadori i Madh do të vendoset për të çuar përpara politikën e SHBA-së në rajonin polar verior, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit sipas BBC-së.
Të premten, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg paralajmëroi për kërcënimin që paraqet Rusia në rajonet polare veriore.
Ai shprehu gjithashtu shqetësim për shtrirjen e Kinës në Arktik. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel tha se ambasadori i ri i SHBA-së do të angazhohet me shtatë vendet e tjera të Arktikut – Kanadanë, Danimarkën, Finlandën, Islandën, Norvegjinë, Suedinë dhe Rusinë – si dhe me grupe indigjene dhe palë të tjera të interesuara.
Ai shtoi se paqja dhe stabiliteti në rajon janë të “rëndësi strategjike kritike” për SHBA-të dhe një prioritet për Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.
Blinken së shpejti do të emërojë ambasadorin, emërimi i të cilit është subjekt i miratimit të Senatit. Njoftimi vjen pasi Rusia rriti praninë e saj pranë Polit të Veriut, ndërsa Kina ka ndërtuar stacione kërkimore në Arktik.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vizitoi Arktikun kanadez të premten, ku tha se aftësitë e Rusisë në veri janë një sfidë strategjike për aleancën ushtarake.
Ambasadori i ri do të zëvendësojë pozicionin e mëparshëm amerikan të Koordinatorit të Arktikut, të mbajtur nga diplomati i karrierës Jim DeHart.