Vendosni fjalën kyçe....

Katër punonjësit vodhën donacionet, Bashkia e Pogradecit: Distancohemi nga ky veprim i shëmtuar, ishin pajisje shkollore e spitalore, jo ndihma për familjet e varfra


Bashkia e Pogradecit ka reaguar pas lajmit se katër punonjës të saj kanë vjedhur donacionet nga Gjermania.

Përmes një njoftimi për mediet, Bashkia e Pogradecit njofton se distancohet kategorikisht nga këto “veprime të shëmtuara” dhe thekson se personat e përfshirë janë tashmë të ndaluar nga policia dhe do të japin llogari para drejtësisë.

“Bashkia Pogradec distancohet kategorikisht nga këto veprime të shëmtuara. Personat e përfshirë në këto veprime tashmë janë ndaluar nga policia dhe do të jenë organet e drejtësisë të cilat në mënyrë të pavarur do të japin vendimin e tyre mbi veprimin e kryer dhe ne i inkurajomë fort që të zbardhen plotësisht rrethanat e ngjarjes.”- thuhet në njoftim.

Të ndaluarit janë 58-vjeçari Reshit Fraholli, 58-vjeçari Raif Muçka, 35-vjeçari Bektash Xhudellari dhe 35-vjeçari Marsel Muçllari.

Ata akuzohen se në mjediset e pallatit të sportit, në qytetin e Pogradecit, vodhën disa pako me ndihma, të dhuruara nga donatorë të huaj, për komunitetin e kësaj bashkie. Ndihmat vinin nga shoqata e motorristëve dhe kamionistëve gjermanë.

Bashkia sqaron se nuk bëhet fjalë për ndihma për familje në ndihmë ekonomike, por për pajisje shkollore dhe spitalore. Po ashtu thotë se nuk është cënuar asnjë pajisje e dhuruar për spitalin, shkollat dhe kopshtet të cilat janë të gjitha të inventarizuara nga të dyja palët, Bashkia edhe përfaqësuesit gjermanë.

Reagimi i plotë:

Nisur nga një veprim i shëmtuar nga disa punonjës të Bashkisë Pogradec mbrëmjen e kaluar në lidhje me donacionet e sjella nga shoqata e motorristëve dhe kamionistëve gjermanë ju bëjmë me dije se:

Bashkia Pogradec distancohet kategorikisht nga këto veprime të shëmtuara. Personat e përfshirë në këto veprime tashmë janë ndaluar nga policia dhe do të jenë organet e drejtësisë të cilat në mënyrë të pavarur do të japin vendimin e tyre mbi veprimin e kryer dhe ne i inkurajomë fort që të zbardhen plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Gjithashtu duam t’i bëjmë me dije bashkëqytetarëve tanë dhe  opinionit publik se se asnjë pajisje e dhuruar për spitalin, shkollat dhe kopshtet të cilat janë të gjitha të inventarizuara nga të dyja palët, Bashkia edhe përfaqësuesit gjermanë, nuk është cënuar. Ditën e sotme është bërë i gjithë komunikimi dhe verifikimi i nevojshëm me donatorët të cilët jan larguar drejt Gjermanisë pak momente më parë edhe ata vetë pas verifikimeve, kanë konstatuar se të gjitha pajisjet e sjella dhe të inventarizuara janë të pacënuara. Edhe pse nuk kemi pajisje të përvetësuara, por vetëm disa maska dhe shtroje, veprimi i kryer është i shëmtuar dhe i dënueshëm.

Duam të shpjegojmë gjithashtu se nuk kemi të bëjmë me ndihma për familjet me probleme ekonomike siç raportohet në media apo rrjete sociale, por me pajisje shkollore (banka) pajisje spitalore si eko, krevatë etj, të cilat po shpërndahen  në insitucione sipas dakordësisë që është arritur me donatorët.

Faleminderit!