Vendosni fjalën kyçe....

Liz Truss do ta shpallë Kinën kërcënim zyrtar nëse zgjidhet kryeministre – The Times


Nëse Liz Truss do të zgjidhet kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar, Kina do të klasifikohet si një “kërcënim” për sigurinë kombëtare për herë të parë sipas planeve të saj për një qasje më të ashpër ndaj Pekinit.

Siç shkruan “The Times”, sekretarja e Jashtme ka premtuar se do të riformojë politikën e jashtme nëse bëhet kryeministre. Ajo është zotuar të rihapë rishikimin e integruar, të botuar vitin e kaluar, i cili përcakton prioritetet britanike në diplomaci dhe mbrojtje gjatë dekadës së ardhshme.

Sipas aleatëve të Truss, Kina do të ngrihet në një status të ngjashëm si Rusia, e cila përkufizohet në rishikim si një “kërcënim akut”.

“Ekonomitë tregtare të hapura si Britania e Madhe do të duhet të angazhohen me Kinën dhe të mbeten të hapura ndaj tregtisë dhe investimeve kineze, por ato duhet gjithashtu të mbrohen nga praktikat që kanë një efekt negativ në prosperitet dhe siguri.”- thuhet në deklaratën e tyre sipas gazetës.

Liz Truss do të përballet me ish-Kancelarin e Thesarit të Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak në raundin e fundit të garës për të pasuar Boris Johnsonin si kryeministër. Tani, gati 200 mijë anëtarë të partisë Konservatore do të duhet të vendosin deri në fillim të shtatorit për fatin e dy kandidatëve. Emri i liderit të ri konservator, i cili do të bëhet automatikisht kryeministër, do të zbulohet më 5 shtator.