Futbollisti Paul Pogba thotë se ai ka qenë objektiv i zhvatjes dhe kërcënimeve nga një bandë e organizuar.
Mesfushori i Juventusit dhe Francës publikoi të dielën një deklaratë përmes avokatëve të tij duke thënë se çështja ishte raportuar tek autoritetet.
Agjencia e lajmeve AFP, tha se policia franceze kishte hapur një hetim. E dyshimet janë se i përfshirë në këtë çështje është edhe vëllai i Pogbas, Mathias i cili paralajmëroi në një video në internet se do të publikonte “zbulime të mëdha” për lojtarin.
Mathias Pogba tha se informacioni ka të ngjarë të jetë “shpërthyes“, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Por futbollisti e ka konsideruar deklaratën e vëllait si pjesë e kërcënimeve.
“Ato janë përveç kërcënimeve dhe përpjekjeve për zhvatje nga një bandë e organizuar kundër Paul Pogba.”- thuhet në deklaratë sipas BBC. “Organet kompetente në Itali dhe Francë janë informuar një muaj më parë dhe nuk do të ketë komente të mëtejshme në lidhje me hetimin në vazhdim”.
Pogba u transferua te Juventusi këtë verë pasi u largua nga Manchester United. Në videot e tij, i vëllai Matthias Pogba tha se “e gjithë bota, si dhe tifozët e vëllait tim, dhe aq më tepër skuadra franceze dhe Juventusi, bashkëlojtarët e vëllait tim dhe sponsorët e tij meritojnë të dinë disa gjëra”.
Ai tha se zbulimet do të përfshijnë edhe agjentin e Pogbas, Rafaela Pimenta.