Vendosni fjalën kyçe....

Meta paralajmëron: Në ditët e ardhshme do shikoni skandale më të rënda, ora e llogaridhënies ka afruar shumë


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, tha në konferencën e sotme për shtyp se ora e rivendosjes së rendit kushtetues në vend po afron.

Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në nismat opozitare që t’i kthejnë vendit rendin kushtetues.

Përpos denoncimit të sotëm lidhur me Ujësjellësin në Memaliaj, ku nisja e punimeve u bë dy muaj e gjysmë para se të lidhej kontrata me kompaninë fituese, Meta paralajmëroi për të tjera denoncime.

Ai theksoi se ora e llogaridhënies ka afruar shumë dhe përsëriti thirrjen e tij ndaj administratës që të jenë të kujdesshëm të mos bëhen “bedela” të kësaj qeverie që sipas tij është në largim.

“Kur bëhen tenderat në këtë mënyrë a e kuptoni se çfarë bëhet me konkurset për në administratë, ku një kontigjent i madh po s’patën kryer vepra penale nuk mund të marrin dot pozicionin e punës. A e patë aty ministrin e Brendshëm, e kuptoni çfarë bëhet me konkurset në policinë e Shtetit.

A e kuptoni se çfarë bëhet me provimet e maturantëve, me tokat, me hipotekat a e kuptçfarë bëhet me çdo gjë në këtë vend. Kjo është arsyeja e largimit të shqiptarëve nga vendi.

Nuk kemi atdhe për të humbur, as për të shitur dhe kurrsesi për të tradhtuar. Zgjidhja është të gjithë së bashku për të rikthyer rendin kushtetues, për të rikthyer drejtësinë e kapur si dhe për të rikthyer barazinë përpara ligjit të të gjithë qytetareve shqiptarë. Mjet i pazëvendësueshëm për këtë mbetet referendumi. Në ditët e ardhshme do të shikoni skandale akoma më të rënda.

Sot dolëm në një rast konkret dhe renditëm nenet që duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë personat e përfshirë duke filluar nga kryeministri. Ndaj i kam bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të mos bëhen bedela të kësaj qeverie në largim.

Përpëlitjet e fundit të kësaj klike korruptive dhe antishqiptare shtojnë vullnetin e shqiptarëve të jenë në lartësinë e detyrës për t’i dhënë fund një eksperimenti që u bë në këtë vend, ku njerëzit u kthyen në kavie dhe kushtetuta në një letër të rëndomtë. Ora e rivendosjes së rendit kushtetues është shumë e afërt. I ftoj të gjithë qytetarët dhe zyrtarët e ndershëm të dokumentojnë çdo vjedhje. Është detyrë e tyre të dalin në anën e duhur të historisë.”- tha Meta.