Vendosni fjalën kyçe....

Petrit Vasili: I vetmi që ka bërë mashtrim me gjeneralitetet është kryeministri


Në konferencën e sotme për mediet gazetarët e pyetën ish-presidentin Ilir Meta për gjeneralitetet e tij. E në një moment, deputeti Petrit Vasili ndërhyri dhe tha se i vetmi që ka bërë mashtrim me gjeneralitetet është kryeministri Edi Rama.

Sipas Vasilit, në vitin 2002, Rama ka bërë ndryshim të emrit nga Edvin Rama në Edi Rama.

 “Kemi një rast interesat, i painvestiguar fare nga mediat shqiptare. Ne kemi dekrete të presidentit, për emërimin e ish-ministrit të Kulturës Edi Rama dhe emërimin e tij si kryetar bashkie.

Ndërkohë që ju e dini se në vitin 2002 Edi Rama ka ndërruar emrin nga Edvin Kristaq Rama në Edi Rama. I vetmi njeri që kemi në nivelet më të larta të politikës me një problem shumë të madh formal dhe ligjor, të mashtrimit me gjeneralitetet, është rasti tipik që është Edi Rama. Dhe të provuar, e zeza në të bardhë. Ky duhet të ishte një shqetësim i madh. Ai ka mbajtur poste me rëndësi. Këtu duhet të nisë ky problem.”- tha Vasili.

Meta gjithashtu foli për këtë ccështje duke komentuar kërkesën e SPAK-ut për gjeneralitetet e tij dhe përgjigjen nga Drejtoria e Gjendjes Civile.

Kryetari i PL-së tha se quhet Ilir Metaj dhe se është krenar për emrin e tij.

“Ta keni të qartë; jam Ilir Rexhep Metaj. I lindur në 24 mars në Çepaj të Skaparit. S’kam arsye që mos të jem krenar për emrin tim. Edhe fëmijët e mi kanë arsye të forta që të jenë krenarë për babanë e tyre. Duhet të jeni të qetë. Shikoni skandalet se si vidhet populli shqiptar. Shikoni se si është asgjësuar gara. Se ça po i bën mafia e qeverisë këtij vendi. Meta do jetë në krye të kësaj beteje, në anën e duhur, të luftës në këtë betejë evropiane.”- tha ai.

Gazetarët i kanë kujtuar ish-presidentit se ka firmosur shumë dokumente me Ilir Meta, ndërkohë që mbiemrin e ka Metaj, dhe e pyetën nëse kjo përbën shkelje ligjore.

Por ai theksoi se “Duhet të keni parasysh se çdo dokument e çdo firmë e titullarit është e shoqëruar me vulë protokolli, janë 500 verifikime nga ana formale dhe konfirmojmë mënyrën më të qartë apo autenticitetin e shkrimit. Që ju mos të shqetësoheni për këtë çështje, apo ata që e shpikën.”