Vendosni fjalën kyçe....

10 viktima nga përleshjet në Bagdad, grupet rivale përplasen ashpër pas largimit nga politika të klerikut shiit (Foto/Video)


Të paktën 10 irakianë u vranë të hënën pasi kleriku i fuqishëm mysliman shiit, Moqtada al-Sadr tha se do të largohej nga politika, duke bërë që besnikët e tij të sulmojnë një kompleks qeveritar në Bagdad dhe të çojnë në përleshje me grupet shiite rivale.

Të rinjtë besnikë të Sadr-it sulmuan selinë e qeverisë në Zonën e Gjelbër të sigurt të Bagdadit, dikur një pallat i diktatorit Sadam Husein, dhe dolën në rrugë jashtë zonës ku u përleshën me mbështetësit e grupeve rivale të mbështetura nga Teherani.

Departamenti Amerikan i Shtetit mohoi njoftimet se ambasada e tij ishte evakuuar.

Vdekjet ndodhën ‘në mes’ të Zonës së Gjelbër të fortifikuar, ku ndodhet pallati dhe ambasada e SHBA-së, thanë burimet mjekësore për Sky News Arabia. Më parë, qindra protestues kishin rrëzuar barrierat e betonit dhe kishin sulmuar pallatin.

Kjo erdhi pasi al-Sadr njoftoi dorëheqjen e tij nga politika pas muajve të përpjekjeve të dështuara për të formuar një qeveri përballë kundërshtimit të fraksioneve shiite rivale, aleate të Iranit.

Pak para se të dilnin lajmet për viktimat, agjencia e lajmeve AFP raportoi se të shtëna armësh mund të dëgjoheshin mbi Zonën e Gjelbër. Këto të shtëna me armë zjarri mund të dëgjohen në pamjet video nga vendi i ngjarjes.

 

Ushtria irakiane iu përgjigj thyerjes së pallatit duke shpallur një shtetrrethim në mbarë qytetin, pasi përforcime ushtarake nxituan për t’u marrë me turmat e besnikëve të al-Sadrit që vërshonin në Zonën e Gjelbër.

Mustafa al-Kadhimi, kryeministri i përkohshëm i Irakut dhe një aleat i al-Sadr, u bëri thirrje turmave të tërhiqen nga zona. Sky Neës Arabia raportoi se disa nga demonstruesit filluan të largoheshin nga Zona e Gjelbër pak më vonë, përpara se të përpiqeshin të hynin përsëri.

Dikur qendra nervore e pushtimit të SHBA-së, Zona e Gjelbër ende strehon ambasada të shumta të huaja dhe organizata ndërkombëtare, dhe selitë e qeverive të njëpasnjëshme të Irakut pas pushtimit janë vendosur atje.

Në një deklaratë të lëshuar të hënën në mbrëmje, misioni diplomatik i SHBA-së në Irak tha se ‘është i shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve dhe u kërkon të gjitha palëve të qëndrojnë paqësor’.

 

Luftimet e brendshme midis bllokut politik të al-Sadr dhe Aleancës Koordinuese – një bllok shiit aleat me Iranin – e penguan klerikun të formonte një qeveri pasi fitoi 73 vende në legjislaturën 329-vendëshe të Irakut vitin e kaluar.

Al-Sadr, një kritik i zëshëm i ndikimit të huaj në Irak, u përpoq të përjashtonte aleancën e lartpërmendur nga një qeveri e mundshme, duke e shtyrë këtë të fundit të përpiqej të formonte një qeveri të sajën.

Grupet pro-Iranit fajësuan ndjekësit e Al-Sadr për përleshjet dhe mohuan të kenë qëlluar.

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani

Kleriku shiit Moqtada al-Sadr