Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja e Shëndetësisë e Portugalisë jep dorëheqjen pas mbylljes së shërbimeve të urgjencës: E kuptoj se s’mund të rri më në detyrë


Ministrja e Shëndetësisë në Portugali Marta Temido, ka dhënë dorëheqjen duke thënë se ajo ndihej “e paaftë të qëndronte më në detyrë” pas kritikave që ka marrë për trajtimin e problemeve të fundit të personelit në spitalet publike.

Mediet portugeze raportojnë këtë të martë se Temido i ka paraqitur dorëheqjen kryeministrit “pasi e kupton që nuk mund të qëndrojë më në detyrë”.

Kryeministri António Costa thuhet se e ka pranuar tashmë kërkesën e Temidos.

Në deklaratën e bërë publike nga zyra e kryeministrit thuhet se kreu i qeverisë e “respekton vendimin e saj” dhe shton se largimi i ministres tashmë i është komunikuar dhe Presidentit të Republikës.

“Kryeministri falënderon gjithë punën e zhvilluar nga Dr. Marta Temido, veçanërisht në periudhën e jashtëzakonshme të luftimit të pandemisë Covid-19.”– lexohet në shënimin që i është dërguar redaksive.

Marta Temido mori detyrën si Ministre e Shëndetësisë në tetor 2018, duke pasuar Adalberto Campos Fernandes, kjo pasi, në dhjetor 2017, ai braktisi udhëheqjen e Këshillit Drejtues të Administratës Qendrore të Sistemit Shëndetësor (ACSS).

Temido ka qenë nën presion të madh prej disa muajsh, përfshirë edhe nga brenda Partisë së saj Socialiste, për shkak të mbylljeve të përkohshme të shërbimeve të urgjencës në spitalet publike, përfshirë edhe maternitetet, si pasojë e mungesës së stafit.