Vendosni fjalën kyçe....

Rusia ndërpret furnizimin me gaz për gjigantin francez të energjisë


Gjiganti shtetëror rus i energjisë Gazprom konfirmoi të martën se kishte ndërprerë furnizimin me gaz për kompaninë franceze Engie. Firma me bazë në Paris ka dështuar të paguajë plotësisht furnizimet e gazit në korrik, shpjegoi kompania.

Gazprom informoi Engie se do të ndërpresë dërgesat e gazit duke filluar nga 1 shtatori deri në çastin që të marrë pagesën për gazin tashmë të furnizuar plotësisht, tha gjigantdi i energjisë në një deklaratë. Ai gjithashtu vuri në dukje se pala franceze kishte dështuar të bënte pagesën deri të martën në mbrëmje, duke e bërë të pamundur çdo dërgesë të mëtejshme të gazit sipas ligjit rus.

Më herët gjatë ditës, Engie paralajmëroi se Gazprom e kishte informuar atë ‘për një zvogëlim të dërgesave të gazit’ dhe përmendi ‘një mosmarrëveshje midis palëve për zbatimin e disa kontratave’, sipas Bloomberg. Ai nuk dha asnjë hollësi në lidhje me natyrën e mosmarrëveshjeve dhe nuk përcaktoi nivelin e kufizimeve të dorëzimit.

Ministrja franceze e Energjisë Agnes Pannier-Runacher akuzoi Moskën për përdorimin e eksporteve të saj të gazit si armë. Ajo tha gjithashtu se Franca ‘duhet të përgatitet për skenarin më të keq të një ndërprerjeje të plotë të furnizimeve’. Deklarata e saj është bërë para njoftimit të Gazprom.

Engie pohoi se ‘tashmë kishte siguruar vëllimet e nevojshme për të përmbushur angazhimet e saj ndaj klientëve të saj dhe kërkesat e veta’, duke shtuar se do të merrte masa për të ‘ulur ndjeshëm çdo ndikim të drejtpërdrejtë financiar dhe fizik’ të ndërprerjes së mundshme të furnizimit nga Gazprom.

Zhvillimet vijnë ndërsa qeveritë e BE-së po përpiqen të mbushin depozitat e tyre të gazit përballë sezonit të ngrohjes që po afrohet dhe furnizimit të pakësuar nga Rusia, një nga furnizuesit kryesorë të gazit të kontinentit. Më herët të martën, Gazprom tha gjithashtu se Nord Stream 1 do ndalet plotësisht nga 31 gushti deri më 2 shtator për mirëmbajtje pasi ka vetëm një kompresor funksional.

Të hënën, zv. presidentja Ekzekutive e Engie, Claire Waysand tha se Franca i kishte depot e saj të mbushura me 90%, duke shtuar se duhet të jetë e mjaftueshme për të kaluar dimrin.