Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi ka reaguar lidhur me mbledhjen informale të mbrëmjes së kaluar, ku deputetët mbështetës të ish-kryetarit Lulzim Basha konfirmuan Enkelejd Alibeajn si kryetar të grupit parlamentar.
Boçi tha në një intervistë për “News 24” se këto mbledhje në ambiente të papërshtatshme nuk janë zyrtare dhe nuk i shërbejnë bashkimit të grupit të PD-së.
“Nuk mendoj se Alibeaj është kryetar i grupit të PD-së. Jo për arsye personale, por për hir të statutit të PD-së po e bëj këtë sqarim. Në një mbledhje informale të marrësh vendime zyrtare, është pak problematike. Edhe numri i deputetëve të pranishëm nuk është i saktë. Ajo që kemi vënë në fokus, mbetet bashkimi i grupit parlamentar. Këto nxitime për të marrë vendime, janë nxitime për të shkaktuar një përçarje. Çështja e bashkimit që erdhën dy deputetë, nuk e shoh me pluse dhe minuse. Është realizim i instiktit të anëtarësisë së forcës sonë politike. Deputeti shkon atje ku shkon mbështetësi i tij. Sot ishin dy deputetë, nesër do të jenë të tjerë.”- tha Boçi.