Ismet Çekorja u vra pasditen e sotme në Shkodër në një atentat me armë zjarri.
Policia thotë se 58-vjeçari u plagos në rrethana të paqarta në lagjen “Guerrile” dhe ndërroi jetë në spital.
“Në lagjen ‘Guerrile’, në Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi I. Ç., 57 vjeç, banues në lagjen ‘Guerrile’, Shkodër, i cili më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën në vendngjarje, për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet, me pika kontrolli në zonën përreth, me qëllim kapjen e autorit/ëve.”– thotë Policia.
Ismet Çekorja ishte babai i Bajram Çekores, i dyshuar si autor i atentatit ndaj shtetasit Alban Bruçi të ndodhur në mbrëmjen e 25 gushtit në Shkodër.
Pak ditë më parë, Çekorja foli për gazetarët lidhur me akuzat ndaj të birit duke e mbrojtur atë.
“Rasti i fundit është me Alban Bruçin, djalin e Lad Bruçit, të cilin unë e kam shumë mik dhe nuk ka asnjë shans që djali im të qëllojë djalin e tij kur ne kemi shumë miqësi aq më tepër që Bajrami, djali im është i monitoruar me kamera.”- shprehej ai për mediat. Çekorja shprehej se këto sulme me ndaj familjes së tij, i bëjnë disa banditë të veshur me pushtet.