Të huajt duhet t’i tregojnë ministrisë izraelite të mbrojtjes nëse bien në dashuri me një palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar, sipas rregullave të reja.
Nëse martohen, do t’u kërkohet të largohen pas 27 muajsh për një periudhë ftohjeje prej të paktën gjysmë viti.
Siç shkruan BBC, ky rregull i ri është pjesë e shtrëngimit të masave e rregullave për të huajt që jetojnë ose duan të vizitojnë Bregun Perëndimor.
Palestinezët dhe OJQ-të izraelite e kanë akuzuar Izraelin për “ngritje të kufizimeve në një nivel të ri”.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi të hënën.
Rregulloret e paraqitura në një dokument të gjatë përfshijnë një kërkesë për të huajt që të informojnë autoritetet izraelite brenda 30 ditëve nga fillimi i një marrëdhënieje me një palestinez.
Kufizimet e reja për universitetet palestineze përfshijnë një kuotë prej 150 vizash studentore dhe 100 pedagogë të huaj, ndërsa në ato izraelite nuk ka kufizime të tilla.
Biznesmenët dhe organizatat e ndihmës thonë se edhe ata do të preken rëndë. Rregullat vendosin kufizime të rrepta për kohëzgjatjen e vizave dhe zgjatjen e vizave, në shumë raste duke i penguar njerëzit të punojnë ose të jenë vullnetarë në Bregun Perëndimor për më shumë se disa muaj.