Vendosni fjalën kyçe....

Pakistani kërkon dëmshpërblim për ndryshimet klimatike: Vendet e pasura përgjegjëse për gazrat serrë, pasojat i vuajmë ne


Vendet e pasura, të cilat janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të çlirimeve të gazrave serrë, duhet të paguajnë dëmshpërblime për ekonomitë në zhvillim pasi këto të fundit mbajnë barrën e ngrohjes globale, tha ministrja e Klimës i Pakistanit për mediat në Britani të dielën.

Duke folur për The Guardian mes përmbytjeve të papara që shkatërruan vendin e saj, ministrja pakistaneze për ndryshimet klimatike Sherry Rehman bëri thirrje që të rishqyrtohen objektivat dhe dëmshpërblimet globale të emetimeve, duke pasur parasysh se vendet më të varfra po goditen gjithnjë e më shumë nga fatkeqësitë klimatike.

Rehman e përshkroi ngrohjen globale si ‘krizë ekzistenciale’, duke shtuar se Pakistani ka kontribuar më pak se 1% në emetimet e gazit serrë. Ajo akuzoi gjithashtu vendet e botës së parë për thyerjen e premtimeve të tyre për të luftuar ndryshimet klimatike.

“Të gjithë e dimë se zotimet e dhëna në forume shumëpalëshe nuk janë realizuar. Ka kaq shumë humbje dhe dëme me kaq pak dëmshpërblime për vendet që kontribuan kaq pak në shtimin e dioksidit të karbonit në botë.” – tha ajo.

Në muajt e fundit, përmbytjet kataklizmike kanë shkaktuar kërdi në të gjithë Pakistanin, duke vrarë të paktën 1,265 njerëz, përfshirë 441 fëmijë. Fatkeqësia, e cila ka prekur 33 milionë njerëz, i është mveshur kryesisht ndryshimeve klimatike.

Megjithëse Rehman tregoi se ajo i kuptonte sfidat me të cilat po përballet bota për shkak të pandemisë Covid-19 dhe konfliktit të Ukrainës, ajo tha se ‘vendet më të pasura duhet të bëjnë më shumë’ për të shmangur ndryshimin e klimës.