Vendosni fjalën kyçe....

“S’ka kohë për të humbur” – Biznesmenët italianë paralajmërojnë politikanët e vendit


Italia nuk mund të përballojë javë të tëra inercie politike pas zgjedhjeve të këtij muaji, thanë shefat e biznesit të vendit, duke shtuar se çmimet e larta të energjisë tashmë po detyrojnë gjithnjë e më shumë firma të kufizojnë prodhimin.

Të mbledhur në brigjet e liqenit të Komos për Forumin vjetor Ambrosetti këtë fundjavë, pronarët e bizneseve sulmuan politikanët për rrëzimin e kryeministrit Mario Draghi në mes të një krize energjie në Evropë.

“Përpara se ministrat e qeverisë së re të marrin drejtimin e tyre, do të jenë Krishtlindjet, por ne përballemi me probleme që duhet t’i trajtojmë brenda ditëve, jo javëve.” – tha Armando De Nigris, kryetar i prodhuesit të uthullës balsamike me të njëjtin emër.

Çmimet rekord të gazit kanë dyfishuar koston e kondensimit të rrushit që hyn në 35 milionë shishe uthull balsamike që prodhon De Nigris çdo vit.

Një bllok i qendrës së djathtë është në rrugën e duhur për një fitore të qartë në zgjedhjet e 25 shtatorit, por formimi i qeverisë është një proces shumë i ngadaltë në Itali.

Lobi i industrisë Confindustria javën e kaluar paralajmëroi se Italia u përball me ‘një tërmet ekonomik’ për shkak të çmimeve më të larta të energjisë dhe bëri thirrje për mbështetje nga administrata kujdestare e udhëhequr nga Draghi, një ish-shef i Bankës Qendrore Evropiane.

Italia ka rezervuar tashmë mbi 50 miliardë euro këtë vit për t’u përpjekur të zbusë ndikimin e kostove më të larta të energjisë për firmat dhe familjet dhe më shumë ndihmë pritet këtë javë.