Ish-zëvendësministri i Energjisë, Gjergj Bojaxhi gjatë debatit në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus mendon ndryshe nga rryma mbi çmimin e karburanteve dhe barrën e shkaktuar.
Sipas Bojaxhiut, çmimi i lartë i hidrokarbureve ka dëmtuar më shumë bizneset se qytetarët.
Ai ka theksuar se Bordi nuk është transparent pasi nuk i jep llogari sa herë mblidhet për shkak se nuk është parashikuar në aktin normativ.
“Bordi nga këndvështrimi im në mënyrë abuzive ka shkelur biznese dhe tregun e lirë të hidrokarbureve dhe ka mbështetur me çmimet qytetarin e thjeshtë.
Unë e kuptoj, që me çfarë kam lexuar në treg, të gjithë i sulen Bordit. Unë mendoj që vetëm bizneset e hidrokarbureve mund ta shajnë bordin, qytetarët po të dinë se çfarë çmimesh do kishte tregu dhe po të zbatohej formula në mënyrë uniforme, unë mendoj se qytetarët do ishin të kënaqur me Bordin. Është thënë që Bordi duhet të mblidhet një herë në javë por nuk është thënë asgjë më shumë se kaq. Bordi mund të mblidhet një herë në 7 ditë, mund të mblidhet çdo ditë. E vetmja gjë që nuk është e shkrojtur në akt normativ është pse bordi mblidhet çdo ditë, apo dy herë në javë. Për këtë nuk i jep llogari askujt dhe nuk është transparente.
Pjesa tjetër është formulë mekanike, sepse kursi i dollarit është më Bankën e Shqipërisë nuk e ka në dorë Bordi, bursa e karburanteve. Bordi nuk është transparent për aq kohë sa nuk i jep llogari askujt pse mblidhet çdo ditë, apo 2 e 3 herë në javë”, deklaroi Bojaxhiu.