Vendosni fjalën kyçe....

Euro bie në nivelin më të ulët të 20 viteve


Monedha e përbashkët e BE-së, euro, ra nën 0,99 dollarë për herë të parë në 20 vjet të hënën, pasi Rusia tha se do mbyllte tubacionin kryesor të furnizimit me gaz në Gjermani për një kohë të pacaktuar.

Me hapjen e tregjeve evropiane, euro ra me 0.7% në 0.9880 dollarë kundrejt dollarit amerikan, pozicioni më i dobët që nga viti 2002.

“Euro ka më shumë dobësi duke pasur parasysh ndikimin e plotë nga zvogëlimi i pacaktuar në furnizimin me gaz të Rusisë në Evropë nuk ka ardhur ende e gjitha.” – tha Rodrigo Catril, strateg i monedhës në Bankën Kombëtare të Australisë për gazetën financiare indiane Mint.

Javën e kaluar, analistët e Goldman Sachs ulën parashikimet e tyre për euron në 0,97 dollarë gjatë tre muajve të ardhshëm nga 0,99 dollarë më parë.

Analistët parashikojnë gjithashtu se euro do të mbetet nën barazinë me dollarin gjatë një periudhe gjashtëmujore. Më parë ata parashikuan një rikuperim në 1.02 dollarë.

Të premten, furnizuesi rus i energjisë Gazprom tha se nuk do të rifillonte dërgesat e gazit natyror në Gjermani përmes tubacionit kryesor Nord Stream 1 për shkak të një turbine që nuk funksiononte.

Nord Stream 1 kishte funksionuar me kapacitet të pakësuar që nga qershori për shkak të mbylljes së disa turbinave me gaz. Gazprom ka përmendur pajisjet e gabuara ose të vonuara për shkak të sanksioneve perëndimore si arsyen kryesore për uljen e dërgesave.