Të paktën 18 pallate në Bashkinë e Kavajës do t’ i nënshtrohen riparimeve për shkak të dëmeve nga tërmeti i nëntorit 2019.
Në Agjencinë e Prokurimit Publik së fundmi u çel procedura nga ana e Bashkisë e cila në preventivin e njoftuar parashikon ndërhyrje edhe në banesa indiciduale si dhe në qendrën e zonës turistike të Golemit.
Fondi limit i vënë në dispozicion për këtë punë është parashikuar në rreth 530 milionë lekë apo afërsisht 4.4 milionë euro. Kontrata që ka në objekt “Riforcimi i njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të cilat janë klasifikuar me shkallë dëmtueshmërie DS4, qyteti Kavajë” do të financohet nga buxheti i shtetit ndërkohë që kohëzgjatja e zbatimit është planifikuar 18 muaj.
Referuar dokumenteve kjo është cilësuar një procedurë e përshpejtuar çka i jep mundësi autoritetit kontraktor që të presë ofertat në një periudhë të shkurtë kohore me gati 10 ditë pasi dorëzimi i ofertës duhet të bëhet brenda datës 16 shator.
Kjo procedurë është pjesë e procesit të rindërtimit që qeveria nisi pas tërmetit të vitit 2019. Aktualisht nuk ka një bilanc total të procesit të rindërtimit teksa në treguesit fiskale të vitit 2022 deri në korrik janë shpenzuar 10.7 miliardë lekë për këtë zë. Kjo është sa 54 për qind e fondit total të parashikuar për gjithë vitin që në buxhet rezulton 20 miliardë lekë. Bashkitë aktive më ndërhyrje dhe punime mbeten Durrësi që ishte më i godituri, Kavaja por edhe Tirana.
Procesi i rindërtimit është kritikuar për mungesë transparence si dhe problematika të shumta të shfaqura gjatë zbatimit të cilat KLSH i ka përmbledhur në audit të veçante por edhe nga institucione ndërkombëtare.
Dëmet e tërmetit sipas një vlerësimi të bërë nga studimi i hartuar me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian dëmi llogaritej në 985 milionë euro. Në total, efekti i fatkeqësisë vlerësohej sa 6.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto(PBB) ndërsa në humbje 1.1% e PBB, çka në total e çon shifrën 7.5% e PBB.
“Vlerësimi tregon se në total, efekti i fatkeqësisë në 11 bashki llogaritet rreth 985.1 milionë euro, apo 121.21 miliardë lekë, nga të cilat 843 milionë euro, 103.84 miliardë lekë, përfaqëson vlerën e aseteve fizike të shkatërruara dhe 141.2 milionë euro, 17.37 miliardë lekë, referuar humbjeve. Shumica e dëmeve janë regjistruar në sektorin e strehimit (78.5%), ndjekur nga sektori prodhues me 8.4% dhe edukimi me 7.5%. Sa u takon humbjeve, në sektorin prodhues llogaritet më i larti me 56.4%, ndërsa në strehim 24.1% dhe mbrojtje civile dhe reduktim i riskut, në 9.4%” thuhej në studim./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor