Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria do konfiskojë ndërtimet pa leje


Ndërtimet që kanë shtesë katesh pa leje do konfiskohen nga qeveria e do përdoren për akomodimin e familjeve në nevojë.

Vendimin e njoftoi ministrja e Infrastrukturës Balluku e cila tha se koha e shtesave pa leje ka marrë fund.

Balluku tha gjithashtu se do ketë hetime mbi institucionet që kanë lejuar shtesat pa leje.

“VKM e titulluar për rregullat për konfiskimin për interes publik për ndërtimet pa leje me qëllim fitimi. Akti ka të bëjë me të gjitha ndërtesat pa leje ose ndërtimin e shtesave mbi lejet që janë dhënë nga Bashkitë. Kjo kohë ka mbaruar. Ky lloj trendi shumë i zhvilluar ka një lloj sjellje që pavarësisht se leja mund të jetë 7 kate, i bëjmë dhe 3 sipër për t’i legalizuar më pas.

Të gjitha ndërtesat që kanë këtë lloj specifike do konfiskohen për përdorim publik. Do t’i jepen qytetarëve që preken nga projektet publike ose do përdoren si fonde për të shpronësuar të gjithë qytetarët të cilët sërish preken nga projektet publike. I gjithë ky proces është i gjatë por ka qëllim dekurajimin e kompanive ndërtuese që shkelin ligjin dhe duke qenë nën mbikëqyrjen e institucioneve tona.

Për çdo ndërtesë, e cila tashmë rezulton se ka shkelur lejen apo për çdo ndërtesë pa leje, do ketë investigim për ato institucionet që kanë si detyrë kontrollin e territorit dhe kjo gjë ka ndodhur nën hundën e tyre. Nuk do të ketë tolerancë për asnjë prej ndërtuesve dhe gjithçka e ndërtuar pa leje do të shkojë për përfitim të popullit, për familje në nevojë, për zyrat e shtetit. Mundësia e parë e ndërtuesit është parapagesa e metrave katror që t’i parablejë, përveç gjobës që do paguajë, në rastin e dytë i dhuron dhe në rastin e tretë është konfiskimi.” – tha Balluku.