Vendosni fjalën kyçe....

Djegia e mbetjeve në Shijak/ Partia e Lirisë nxjerr dokumentet: Elton Arbana gënjeu, këto janë kontratat mes bashkisë dhe inceneratorit të Tiranës


Partia e Lirisë ka denoncuar sot bashkinë e Shijakut sa i takon çështjes së mbetjeve.

Koordinatorja Kombëtare e Luftës kundër Korrupsionit në Partinë e Lirisë, Brisida Shehaj dhe deputeti Petrit Vasili treguan disa dokumente në një konferencë për mediet, ku faktohej se ishte lidhur marrëveshje me inceneratorin, që kundrejt pagesave të bëhej depozitimi i mbetjeve në landfill.

“Dje kryetari i PL-së Ilir Meta ka qenë në Shijak ku ngriti shqetësimin për mënyrën mizerabël se si trajtohen mbeturinat, si shpërdorohen paratë e taksapaguesve. Jo më lart nga dje, kryetari i bashkisë së Shijakut pati kurajon e guximin që të mashtronte pa iu dridhur syri duke thënë publikisht se bashkia nuk paguan asnjë lek për mbeturinat që depoziton në inceneratorin që nuk ekziston që administrohet nga koncensionari i famshëm Integrated Energy, i administruar nga Klodian Zoto.”- nisi prezantimin Petrit Vasili.

Më pas zonja Shehaj nisi të tregonte dokumentet dhe të shpjegonte se përkundër çfarë ka deklaruar një ditë më parë kryebashkiaku Elton Arbana, bashkia e Shijakut vetëm për muajin shtator ka firmosur detyrimin 14 mijë e ca euro për depozitimin e mbetjeve në landfill.

“Ky është dokumenti i parë që bëhet për herë të parë publike. Kompania i thotë Bashkisë që keni të drejtë që të depozitoni 15 ditë falas pa paguar asnjë cent. Në datën 23 gusht të 2021 lidhet marrëveshja. (Tregohet marrëveshja) mes Integratet Energji SPV me Bashkinë e Shijakut. Më pas hynë në marrëveshje kontraktuale për 5 vite me inceneratorin, ku palët bienë dakord për të paguar 29 euro për 1 ton mbetje. Kjo kontratë ka dhe një aneks që është firmosur nga bashkia Shijak, nga zoti Elton Arbana dhe përgjegjësja e sektorit juridik. Ata kanë marrë angazhimin për njësitë vendore të qarkut të Durrësit, pasi janë dhe për Durrësin këto. Po i vëmë në dijeni, se Elton Arbana për një Shijak më të pastër se di që ka paguar para. Kjo është një tjetër shkresë ku i thotë bashkisë; këtu keni faturën, situacionet dhe kopjen. Në këtë dokument është rakordimi që është firmosur nga zoti Arbana që vetëm për muajin shtator detyrimin që ka bashkia është 14 mijë e ca euro. Është firmosur nga kryebashkiaku.”- tha Shehaj.