Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria i jep kompanisë Gjikuria 9 mijë metra katrorë tokë ‘shtet’ me 1 euro, investim strategjik në Himarë


Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e sotme që t’i japë shoqërisë “WHITE ROADS HOTEL”, sh.p.k., një sipërfaqe totale 9 157.2 m2, në pronësi “shtet”, me vendndodhje në Gjilekë, Bashkia Himarë, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike.

Sipas njoftimit zyrtar, këshilli i Ministrave vendosi “Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 (një) euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “WHITE ROADS HOTEL”, sh.p.k., me NUIS M02407023J, si qiramarrës, për pronat e paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale 1739, me numër pasurie 68/122, 5240/5 dhe 68/51/2, të llojit “truall”, me sipërfaqe totale 9 157.2 m2 (nëntë mijë e njëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë dy), në pronësi “shtet”, me vendndodhje në Gjilekë, Bashkia Himarë, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, sipas dokumentacionit të pronësisë, planvendosjes, dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi”.

Sipas esktraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, shoqëria “WHITE ROADS HOTEL”, është krijuar në vitin 2020 dhe është në pronësi të kompanisë së ndërtimit Gjikuria.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor