Vendosni fjalën kyçe....

Kundërshtare e abortit dhe martesave të së njëjtës gjini, pëlqen purot e alkoolin, ministrja e re e Shëndetësisë në Britani ngjall polemika


Therese Coffey pranoi se kishte njëfarë të vërtete në kritikat për emërimin e saj si ministre Shëndetësie në qeverinë e re britanike. Ajo njihet për disa zakone jo të shëndetshme në jetën e saj personale.

Çështja doli të mërkurën në një intervistë me stacionin radiofonik LBC. Prezantuesi Nick Ferrari e pyeti ministren e re për dashurinë e saj të dokumentuar mirë për purot dhe alkoolin.

“Fokusi im është se si ne punojmë për pacientët. Dhe them që mund të mos jem modeli i duhur për postin që përfaqësoj.” – tha Coffey.

“Unë kam qenë gjithashtu një paciente në Shërbimet Shëndetësore Kombëtare. Unë kam pasur disa përvoja të shkëlqyera dhe kam pasur disa përvoja që mund të ishin më të mira.” – vijoi ajo më tej. Përmirësimi i sistemit të kujdesit shëndetësor do të jetë fokusi i punës në kabinetin e kryeministres Liz Truss, u zotua ajo.

Zgjedhjet e stilit të jetesës dhe indeksi i masës trupore nuk janë të vetmet gjëra rreth Coffey-t që u kritikuan pasi emri i saj doli të martën. Shërbimi Këshillimor Britanik i Shtatzënisë tha se ishte ‘thellësisht i shqetësuar’ i të dhënave të saj të votimit për çështjet e abortit. Po kështu ajo është shprehur më herët kundër martesave të të njëjtit seks duke sjellë edhe reagimet e organizatave të ndryshme LGBTQ.

Një katolike e devotshme, Coffey ka votuar sipas besimit të saj për çështje të tilla si aborti dhe të drejtat e homoseksualëve në parlamentin britanik, ku ajo ka përfaqësuar zonën e saj elektorale të Suffolk Coastal që nga viti 2010.

Këtë vit, për shembull, ajo votoi kundër dhënies së qasjes së përhershme të pilulave për ndërprerjen e shtatzënisë për gratë në Angli dhe Uells. Barnat u vunë në dispozicion si masë urgjente gjatë pandemisë Covid-19. Duke komentuar kritikat, Coffey i tha BBC-së se qasja për abort nuk do të zvogëlohet derisa ajo do jetë në detyrë.