Polonia dëshiron të rrisë importet e naftës së papërpunuar dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Nigeria për të mbajtur çmimet e brendshme të energjisë që të mos rriten më shumë, tha presidenti polak Andrzej Duda në një konferencë për shtyp gjatë një vizite në vendin afrikan.
“Për sa i përket sigurisë energjetike, bisedimet e sotme janë të rëndësishme për ne, pasi folëm për furnizimet me LNG dhe naftë nga Nigeria në Poloni dhe BE. Shpresoj që bisedimet tona dhe takimi midis komuniteteve të biznesit të Polonisë dhe Nigerisë të japin fryte.” – tha Duda.
Sipas presidentit, Polonia ka blerë LNG nigerian dhe naftë bruto në vitet e fundit, por kërkon të rrisë dërgesat në të ardhmen e afërt.
“Ne do të donim ta forconim këtë bashkëpunim, ne do të dëshironim të shihnim më shumë nga këto furnizime për vendin tonë nga Nigeria në të ardhmen.” – u citua të ketë thënë ai.
Polonia është një nga kundërshtarët më të zëshëm të BE-së për energjinë ruse. Ndërsa vendi dikur merrte deri në 10 miliardë metra kub gaz në vit nga Rusia nëpërmjet tubacionit Yamal-Evropë, ai u zotua t’i jepte fund varësisë së tij pas fillimit të konfliktit në Ukrainë në fillim të këtij viti dhe ndërpreu marrëveshjen e tij të gazit rus.