Vendosni fjalën kyçe....

Fjalimi i parë i Charles III si Mbret: Do të shërbej me besnikëri


Mbreti Charles III iu drejtua kombit nga Buckingham Palace, në fjalimin e tij të parë si mbret pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth.

“Mbretëresha Elizabeth pati një jetë të jetuar mirë.”– tha Mbreti Charles III, në një fjalim emocional drejtuar kombit, ku ai vlerësoi ngrohtësinë, humorin dhe aftësinë e nënës së tij të dashur për të parë më të mirën te njerëzit.

Ai bëri premtimin e tij si mbret, duke thënë se “Në përkushtimin e Mbretëreshës, sot premtoj t’i shërbej Kushtetutës së kombit tonë sa të jem gjallë në Britaninë e Madhe dhe kudo që jetoni. Do të jem në shërbimin tuaj me besnikëri, respekt dhe dashuri.”

Siç shkruan BBC, ai tha se Princi William dhe gruaja e tij Catherine do të bëhen Princi dhe Princesha e Uellsit, ndërsa shprehu dashurinë edhe për djalin e dytë Princin Harry dhe gruan e tij Meghan.

Fjalimi u transmetua si një shërbim për të kujtuar mbretëreshën e ndjerë, ku morën pjesë politikanë të lartë dhe 2 mijë anëtarë të publikut, dhe u zhvillua në Katedralen e Shën Palit.

Duke folur për gruan e tij prej 17 vitesh, Camilla (75 vjeçe) ai tha: “Unë e di që ajo do të sjellë në kërkesat e rolit të saj të ri përkushtimin e palëkundur ndaj detyrës në të cilën jam mbështetur kaq shumë”.

Ai pranoi se jeta e tij kishte ndryshuar tani, duke thënë: “Nuk do të jetë më e mundur që unë të jap kaq shumë nga koha dhe energjitë e mia për bamirësitë dhe çështjet për të cilat kujdesem aq thellë. Por unë e di se kjo punë e rëndësishme do të vazhdojë në duart e besuara të të tjerëve.”

 Charles e përfundoi fjalimin e tij duke thënë: “Dhe mamasë time të dashur, i them se ndërsa fillon udhëtimin tënd të fundit të madh për t’u bashkuar me babain tim të dashur të ndjerë, dua të them thjesht këtë: Faleminderit. Faleminderit për dashurinë dhe përkushtimin tënd ndaj familjes sonë dhe ndaj familjes së kombeve që i ke shërbyer me kaq zell gjatë gjithë këtyre viteve.”