Sekretari i Përgjithshëm i Parisë së Lirisë, Tedi Blushi ka komentuar paketën e dytë antikrizë të qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ai ndan “thërrimet” për qytetarët dhe “merr “thelat” për vete dhe oligarkët”.
Në një postim në rrjetet sociale, Blushi thotë se për oligarkët, qeveria e rriti me 30.5% fondin total të koncesioneve të projekteve PPP me ofertë të pakërkuar, ndërsa për pensionistët i indeksoi vetëm 6% pensionet.
“Edi Rama merr ‘thelat’ për vete dhe oligarkët, ndan ‘thërrimet’ për qytetarët!
Me taksat që vjel nga qytetarët, Qeveria po mbush xhepat e Edi Ramës dhe të oligarkëve në shërbim të tij.
Le të krahasojmë fondet e parashikuara nga Qeveria për t’u ndarë me oligarkët, me ‘thërrimet’ që vendosi t’u japë qytetarëve për të përballuar krizën e rëndë ekonomike të shkaktuar për shkak të rritjes abuzive të çmimeve:
⬆️📈 Për oligarkët: Qeveria RRITI 30.5% fondin total të koncesioneve të projekteve PPP me ofertë të pakërkuar, nga 636.8 miliard lekë në vitin 2021 në 830.9 MILIARDË LEKË në vitin 2022.
⬇️📉 Për pensionistët: Qeveria indeksoi vetëm 6% pensionet.
⬆️📈 Për oligarkët: Kosto buxhetore e inceneratorëve u rrit nga 2.0 miliard lekë në vitin 2021 në 2.3 MILIARDË LEKË në vitin 2022.
⬇️📉 Për administratën publike: Pagat u indeksuan vetëm 7% për 41% të punonjësve.
Vlera totale e kontratave PPP me ofertë të pakërkuar në vitin 2022, arrin në 830.9 miliard lekë ose 44.5% e PBB, ndërkohë në mëshirë të fatit janë lënë:
📌 258,840 qytetarë, që jetojnë me 0.7 USD/ditë;
📌 440,579 pensionistë në qytet që jetojnë me 4.8 USD/ditë;
📌 103,626 pensionistë në fshat, që jetojnë me 2.8 USD/ditë.”– shkruan Blushi.
Mes të tjerash, Blushi i fton qytetarët të bashkohen ditën e martë, në 13 shtator, në protestën e paralajmëruar nga kryetari i Partisë së Lirisë tek inceneratori i Tiranës.
“Ditën e martë, në 13 shtator, ora 18:00 të gjithë në protestë tek inceneratori i Tiranës, ‘kryeveprën’ e vjedhjes së Qeverisë për t’i dhënë një mesazh të qartë kryehajdutit Edi Rama: Ndëshkimit të popullit nuk do t’i shpëtosh kurrë! ORA E LLOGARIDHËNIES PO AFRON!”– përfundon Sekretari i Përgjithshëm i PL-së.