Vendosni fjalën kyçe....

Zvicra planifikon të groposë mbetjet bërthamore pranë kufirit me Gjermaninë, vërshojnë kritikat


Planet e Zvicrës për të ndërtuar një strukturë magazinimi të mbetjeve bërthamore në një zonë ngjitur me Gjermaninë ka shkaktuar shqetësimë te banorët pranë kufirit.

Të shtunën, Kooperativa Kombëtare e Zvicrës për Asgjesimin e Mbetjeve Radioaktive (Nagra) propozoi zonën Nordlich Laegern si një vend për depon e ardhshme të mbetjeve radioaktive nëntokësore.

Në një postim në Twitter, Nagra argumentoi se vendi ishte mundësia më e sigurt për shkak të gjeologjisë së tij. Kooperativa do të paraqesë më në hollësi arsyetimin e saj për zgjedhjen e zonës gjatë një konference për shtyp të hënën në Bernë, thuhet në mesazh.

Nëse miratohet nga autoritetet dhe qytetarët zvicerane, mbetjet radioaktive nga pesë termocentralet bërthamore të vendit, si dhe nga objektet mjekësore dhe industriale, do varroseshin disa qindra metra nën tokë. Sipas faqes së internetit të Nagra, ‘koha e kërkuar e izolimit është rreth 200,000 vjet për mbetjet e nivelit të lartë dhe rreth 30,000 vjet për mbetjet e nivelit të ulët dhe të mesëm’.

Megjithatë, komunitetet kufitare në rajonin Baden-Wuerttemberg të Gjermanisë janë skeptikë mbi garancitë nga Zvicra dhe kanë frikë se mund të mbeten pa një furnizim të sigurt me ujë të pijshëm. Sipas Christian Kühn, një deputet gjerman për Baden-Wuerttemberg, afërsia e objektit të planifikuar të magazinimit me fshatin Hohentengen do përbënte një ‘problem si gjatë fazës së ndërtimit ashtu edhe gjatë funksionimit të depove’, raporton Deutsche Welle.

Ministria Federale e Gjermanisë për Mjedisin ka kritikuar gjithashtu planet e Nagra-s.

Ka kundërshtime ndaj planeve edhe brenda Zvicrës, me një grup aktivistësh që pretendon se Nagra i detyrohet publikut një shpjegim se pse e kundërshtoi vendin si të papërshtatshëm në të kaluarën dhe çfarë e bëri atë të ndryshojë mendje kohët e fundit.

Pavarësisht alarmit, procesi i miratimit mund të zgjasë dekada, sipas mediave gjermane. Nagra synon të paraqesë një aplikim për planifikim deri në vitin 2024.

Më pas, qeveria zvicerane do duhet të marrë një vendim, pasi më parë çështja ka kaluar në parlament e referendum popullor. Ekzistojnë dy vende alternative për një depo nëntokësore të mbetjeve bërthamore, të cilat ndodhen gjithashtu afër kufirit gjerman.