Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka dhënë hollësi mbi protestën e thirrur te inceneratori i Tiranës.
Në një konferencë për shtyp nga selia e partisë, Meta tha se afera e inceneratorëve është më skandalozja që tregon kapjen e shtetit për fyti, goditjen e interesit publik e vjedhjen e qindra milionë eurove duke thënë se organizatori e përfituesi i aferës është kryeministri Rama.
Meta ftoi të gjithë qytetarët që të jenë pjesë e protestës pasi bëhet fjalë për një aferë ku vidhen të gjithë pa përjashtim.
“Në Shqipëri mafia ka instaluar sistemin e saj mafioz. Afera e inceneratorëve është më skandalozja për kapjen e shtetit për fyti, goditjes së interesit publik, vjedhjes së qindra milionë eurove të taksapaguesve, ndërsa personat në kërkim ndërkombëtar dhe që paguhen ende janë në kërkim. Ndërsa përfituesi i vetëm i aferës është kryeministri Rama. E ndërmorëm këtë nismë, por kjo do jetë një protestë e qytetarëve. Nismën mund ta marrin grupe qytetarësh, shoqëria civile, një parti politike apo opozita. Me këtë çështje do merremi më në brendësi me fakte konkrete në ditët që vijnë. Është detyrë e çdo qytetari të jetë atje. Do jemi me flamurin e qytetarisë dhe jo me flamuj partish. Kriteri i vetëm për të qenë opozitar është; je apo nuk je kundër Edi Ramës, kundër vjedhjeve të tij.” – tha Meta.