Kryeministri Rama e ministrja e Arsimit e Kosovës Arbërie Nagavci, kanë prezantuar Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Kreu i qeverisë tha se fëmijët në Shqipëri e Kosovë do përdorin të njëjtën Abetare ndërsa sipas tij, libri është përqafuar edhe nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se Gjuha Shqipe duhet të mbrohet nga kërcënimet e mëdha.
“Jemi sot me një abetare të unifikuar, një libër i njëjtë për nxënësit që hyjnë në shkollë për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë dhe një lajm i mirë është se edhe miqtë dhe kolegët tanë në Maqedoninë e Veriut e përqafuan këtë ide pak më vonë, sepse ideja fillimisht ishte produkt i dy qeverive dhe sot janë në momentin kur e kanë marrë vendimin për ta futur abetaren e unifikuar edhe në klasat ku mësojnë fëmijët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Gjuha Shqipe të mbrohet nga kërcënimet e mëdha. Ka qenë e vështirë rruga e përpjekjeve për të mos u asimiluar dhe zhdukur gjuha shqipe e cila vazhdon që të gjallojë në hapësirat që jetojnë shqiptarët, por për të cilën janë dashur sakrifica të jashtëzakonshme.” – tha ndër të tjera Rama.