Vendosni fjalën kyçe....

Shtetasi kinez ‘tejet i rrezikshëm’ që u la në arrest shtëpie nga gjykata shqiptare kundërshton ekstradimin në Kinë


Shtetasi kinez Liangbin Chen, i cili u lirua pak ditë më parë nga gjykata me arsyetimin e problemeve shëndetësore ka kundërshturr ekstradimin në Kinë, ku kërkohet nga drejtësia për grabitjen përmes mashtrimit të rreth 140 milionë eurove.

Sipas gazetares Klodiana Lala, shtetasi kinez do e kundërshtojë ekstradimin bazuar te një vendim i Parlamentit Europian i cili më 9 qershor 2022 ka vendosur të pezullojë të gjitha marrëveshjet e ekstradimit me Kinën dhe Hong Kongun.

Që prej së premtes së shkuar, Chen ndodhet në arrest shtëpie në një banesë në Lundër, Tiranë. Lënia e tij në arrest shtëpie nga gjyqtari Kujtim Vranici, ka alarmuar Interpolin pasi ekziston rreziku i lartë që shtetasi kinez të arratiset.

Ai u ndalua në aeroportin e Rinasit më 11 korrik 2022 pas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar e që prej asaj dite ka vijuar ping-pongu i tij gjyqësor. Autoritetet kineze i kanë dorëzuar në kohë të gjitha dokumentet e duhura për esktradimin e Chen.

Ky i fundit është lënë në arrest shtëpie nga gjyqtari i lartpërmendur me arsyetimin e problemeve shëndetësore, ku është përdorur edhe një raport mjeko-ligjor.

Megjithatë Interpoli është tejet i shqetësuar pasi kalimi i tij në arrest shtëpie ngjason me rastin e narkotrafikantit Abdulselam Turgut në vitin 2011, i cili u arratis pas vendimit të gjykatës për ta lënë në arrest shtëpie.