Vendosni fjalën kyçe....

PD e PL akuza Ramës në ditën e parë të shkollës: Shqipëria me buxhetin më të ulët për arsimin në rajon, në 15 vite 226 mijë nxënës më pak


PD-ja ka denoncuar rënien e ndjeshme të numrit të nxënësve në shkolla teksa sot nis mësimi në mbarë vendin.

Sipas deputetes Zhupa, në 15 vite në bankat e shkollës ka 226 mijë nxënës më pak ndërsa vetëm këtë vit në klasat e para ka 30 mijë nxënës më pak.

Më shënimin e saj demokratja thekson edhe të tjera problematika që shoqërojnë arsimin shqiptar nën qeverisjen e kryeministrit Rama.

“Fatkeqësisht 226 mijë nxënës më pak në bankat e shkollës në 15 vjet. Shifër alarmante që tregon qartë shpopullimin e Shqipërisë nga keqqeverisja. Por edhe pse nxënës më pak, mungesa e vullnetit politik për ti cuar paratë dhe investimet te arsimi ka bërë që problemet të jenë edhe më të thella se 15 vite më parë. Nga premtimet me klasa dixhitale edhe me 4 milion euro të harxhuara kemi kaluar te librat e përdorur dhe kërcënimet për fëmijët. Librat e përdorur janë larg të qënurit tekste nga të cilat fëmija mund te mësoj edhe të zhvillohet. Tallja me tekste falas vazhdon në ERTV. Klasat kolektive vazhdojnë edhe pse duhet të ishte realitet i tejkaluar në 2022. Në mes të Tiranës ende zhvillohet mësim me turne.

Mungesa e internetit në më shumë se 50% të shkollave rurale( sipas Bankës Botërore vetëm 47% e shkollave rurale kanë akses në internet. Mungesa së bazës mësimore në kabinete, laboratore në shkollat e Shqipërisë. Mungesa e ujit të rrjedhshëm në shkolla, edhe në zonat rurale mungesë e ngrohjes dhe ftohtjes së klasave. Rrogat e mësuesve janë tregues i qartë se si ka dështuar edhe me arsimin kjo qeverisje. Nga viti 2013 deri tani, duke llogaritur edhe inflacionin, rritjen e çmimeve çdo vit, pothuajse nuk ka rritje reale të pagave me Edi Ramën. Këto janë vetëm disa nga problemet që përballet arsimi sot. Një qeveri që nuk kujdeset për arsimin, është qeveri antishqiptare. E ardhmja është në rrezik!” – shkruan Zhupa.

Ndërkohë kreu i Partisë së Lirisë Meta shkruan se Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin, ndërkohë që në shkolla vijon mësimi me turne, analfabetizmi funksional e braktisja e shkollës.

Kreu i qeverisë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të protestojnë nesër te inceneratori i Tiranës për të ardhmen e tyre.

“Me “lart më lart o shokë flamujt e kongresit”, nuk mbulohet dot dështimi dhe nënvleftësimi i plotë i arsimit. Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin. Vazhdojnë turnet, vazhdon analfabetizmi funksional, vazhdon braktisja e shkollës. Arritja më e fundit është edhe shantazhi e kërcënimi ndaj fëmijëve dhe prindërve të tyre për librat e shkollës. Kryeministri i krimit s’mund të jetë i arsimit. Që të mos vidhen më lekët si te inceneratorët, por të shkojnë për arsim cilësor dhe që t’i krijojnë mundësinë fëmijëve të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, nesër të gjithë tek inceneratori i Tiranës, ora 18:00. Pavarësisht këtij fjalimi të bezdisshëm dhe propogandistik të Kryeministrit, i uroj suksese mikeshës sime të vogël Aria dhe gjithë nxënësve të Shqipërisë, veçanërisht të gjithë atyre që sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës.” – shkruan Meta.