Vendosni fjalën kyçe....

“Dritat ndezur gjatë ditës”-Balluku: Do i vendosim gjoba dhe Bashkisë Tiranë nëse ka shkelje


Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se do të ketë penalitete edhe ndaj Bashkisë Tiranë në rast të abuzimit me energjinë elektrike.

Në emisionin Now në Euronews Albania, Balluku tregoi se është në komunikim të vazhdueshëm me kryebashkiakun Veliaj, por shtoi se Bashkia e Tiranës do penalizohet njësoj si të gjitha institucionet e tjera në rast shkeljesh.

Kjo është bashkia e Tiranës që do të penalizohet si gjithë institucionet e tjera, nuk përjashtohet. Me Erionin jam gjithmonë në kontakt. vetëm në se bëjnë riparime duhet të mbajnë tensionin të ndezur se u nevojitet për të parë”, tha Balluku.

Teksa tha se të njëjtin komunikim kishte pasur edhe me kryebashkiaken e Durrësit për të njëjtën situatë, Balluku u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo shkelje nga institucionet.

Duke iu referuar disa fotove të denoncuara nga qytetarët për disa drita të ndezura në rrugën ‘Myslym Shyri’ në orën 6 të mëngjesit, Balluku tregoi se kishte folur lidhur me këtë edhe me kryebashkiakun Erion Veliaj.

Kam folur me Veliajn që më shpjegoi se është çështje sensorësh që duan pak më shumë dritë që të fiken. Po ajo që vlen të thuash është se njerëzit kanë nisur të ndërgjegjësohen duke denoncuar me foto”, tha ministrja.

Sipas Ballukut, që nga muaji mars administrata vazhdon të kursejë energji elektrike, por administrata  ka vetëm 5 për qind të konsumit në rang vendi.

Ajo tregoi se në zyrat e administratës janë vendosur kontrollorë që të kontrollojë a janë fikur dritat e panevojshme.