Partia Demokratike ka publikuar disa dokumente të transfertave bankare nga kompania që ka marrë me koncesion inceneratorët ‘Integrated Energy’ e Kodian Zotos drejt një kompanie bullgare.
Në një deklaratë për media, anëtari i kryesisë Jamarbër Malltezi tha se paratë i janë paguar një kompanie ‘guackë’ në Bullgari nga sekserët e kryeministrit Rama: Mërtiri-Zoto-Blushi.
“Sot do të tregojmë dokumente të transfertave bankare nga kompania e inceneratorëve, Integrated Energy, drejt një kompanie bullgare në pronësi të sekserëve me të cilët ndan paratë Edi Rama. Miliona euro janë shuma të majme dhe të padëgjuara, edhe për kompanitë më prestigjioze të botës, por arsyeja kuptohet: nuk janë për ekspertizën, por për ‘perizën mediatike’, dmth që hajdutëria e inceneratorëve të mos shfaqet në ekranet e drejtorëve-sekserë që marrin lekë me thes nga Rama. Për këtë qëllim u krijua edhe guacka në Bullgari nga sekserët e Ramës: Mërtiri-Zoto-Blushi. Të grabisin miliona euro nga paratë publike të taksave të shqiptarëve dhe me to të mbanin mbyllur gojë e ekrane. Këto fatura fiktive, me vlerë miliona euro, janë lëshuar nga guacka në Bullgari për kompaninë e inceneratorëve në Tiranë, që gjithashtu, merr e vazhdon të marrë miliona, ndonëse nuk ekziston inceneratori.” – tha Malltezi.
Më tej Malltezi iu drejtua SPAK-ut me dia pyetje lidhur me transfertat bankare të lartpërmendura. Demokrati i kërkoi prokurorisë të shpjegojë pse kompania bullgare ka faturuar mbi 1 milion euro inceneratorit të Tiranës, ndërkohë që aty nuk ka incenerator dhe nëse faturat janë fiktive apo të vërteta.
Më tej Malltezi tha se Rama-Ahmetaj, Agaçi e Veliaj janë koka e aferës së inceneratorëve ndërsa Mërtiti-Zoto-Gugallja e Blushi janë sekserët e tyre.
“Pyetjet sot i vazhdojmë për SPAK-un, që ka mbetur si sopatë pa bisht, që nuk i duhet gjë kurrkujt, veç Edi Ramës dhe dishepujve të tij në sektin e hajdutërisë:
- Çfarë ekspertize ofrojnë tre sekserët e Edi Rames: Mërtiri, Zoto dhe Blushi?
- Për çfarë ka faturuar mbi 1 milion euro, kjo guacka në Bullgari, kompaninë e inceneratorit të Tiranës që po grabit miliona euro të tjera, por incenerator nuk ka?
- Koka është në burg për fatura fiktive prej 9 muajsh. Pse ky standard i dyfishtë?
- Po faturat mbi 1 milion euroshe të 3 sekserëve të Edi Ramës, a janë reale apo fiktive?
- A janë Rama-Agaci-Ahmetaj-Veliaj përmbi ligjin, që SPAK nuk guxon të veprojë ndaj tyre, edhe kur:
a- kryhet procedurë anti-ligjorë në kundërshtim me shkresën e APP;
b- tallen me kinse 9 procedura brenda ditës;
c- shkelin strategji dhe ligje për të grabitur miliona euro pa tender dhe pa specifikime teknike;
d- çojnë paratë në guacka për të ryshfetuar zyrtarë dhe media;
e- marrin 29 euro/ton, ndonëse nuk ekziston inceneratori?
Koka e Lefterit nuk është koka e haram-defterit!
Koka është Rama-Ahmetaj-Agaci-Veliaj dhe sekserët e tyre janë Mertiri-Zoto-Gugallja-Blushi.” – mbylli Malltezi.