Vendosni fjalën kyçe....

Kurti flet për takimin me Ramën: Diskutuam tri tema, Shqipëria të na kthejë dimrit energjinë që i kemi dhënë verës


Një ditë pas takimit informal me Edi Ramën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar për tri temat që ka diskutuar me homologun e tij.

Kurti u shpreh se me Ramën kanë folur mbi sulmet kibernetike, krizën e energjisë dhe takimin e Berlinit. Ai shpjegoi që i ka kërkuar Ramës që gjatë dimrit Kosovës t’i kthehet energjia që i ka dhënë Shqipërisë gjatë verës.

“Takimi i djeshëm ka qenë një drekë pune me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe ka qenë një takim shumë i mirë, konstruktiv e pozitiv dhe i nevojshëm për shkak të temave që i kemi diskutuar e para është siguria kibernetike.

Kjo ka qenë tema e diskutimit tonë dhe isha shumë i interesuar të marrë vesh sa më shumë për përvojën e tyre me sulmet e fundit që kanë qenë me të vërtetë shumë të dëmshme e kriminale.

Tema e dytë ka qenë sfidat e energjisë në javët e muajt në vijim në kuptimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të çmimeve të përballueshme ku ju e dini se KEK dhe KESH bashkëpunojnë ngushtë, ne tash gjatë verës u kemi dhënë shumë energji elektrike në Shqipëri në mënyrë që ata të na ndihmojnë pastaj gjatë dimrit dhe kemi diskutuar për situatën energjetike në përgjithësi…

Tema e tretë ka qenë përgatitjet në dritën e rifillimit të Procesit të Berlinit, kësaj radhe me kancelarin e ri gjerman Olaf Scholz sepse ju e dini që takimet e mëhershme në kuadër të Procesit të Berlinit janë bërë me zonjën Merkel e tashmë për herë të parë bëhet nga kancelari Scholz dhe ka shumë punë të ekipeve tona dhe shumë bashkëpunim paraprak drejt mbledhjes së radhës së Procesit të Berlinit.”- ka deklaruar Kurti.