Vendosni fjalën kyçe....

PS dhe PD ngrenë grup pune për paketë të re ndryshimesh për Reformën në Drejtësi


Shumica socialiste dhe opozita kanë ngritur grup të përbashkët pune për një paketë të re ndryshimesh për Reformën në Drejtësi.

Në grupin e punës do të marrin pjesë tre deputetë nga shumica dhe dy nga Partia Demokratike.

Nga socialistët në grup pune janë Klotilda Bushka, Toni Gogu dhe Klevis Xhoxhi, ndërsa nga PD-ja janë Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka është shprehur se nevoja për ndryshime ka ardhur pas raportimeve të krerëve të institucioneve të pavarura, me qëllimin për të përmirësuar funksionalitetin e sistemit të drejtësisë, por pa e specifikuar konkretisht se për çfarë bëhet fjalë.

Me vendim të Kryesisë së Komisionit në vijim të raportimeve të institucioneve të pavarura dhe të nevojave që ngritën institucionet e drejtësisë për disa ndryshime në kuadër të përmirësimit të funksionalitetit të sistemit të drejtësisë është ngritur një grup pune me përfaqësues nga PD dhe PS që po punon së bashku me ekspertët dhe partnerët ndërkombëtar për adresimin e këtyre shqetësimeve”, është shprehur Bushka.