Vendosni fjalën kyçe....

Replikat Alibeaj-Majko: Pandit i qenka shëruar goja…I respektoj këta që e kanë mjekrën e bardhë e flokët e zinj


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Alibeaj ka replikuar me deputetin e PS-së Majko pas fjalës së këtij të fundit në foltore, që u kërkoi demokratëve që të japin llogari për lajmin mbi financimin rus të PD-së me 500 mijë dollarë në vitin 2017.

Alibeaj iu drejtua socialistit me ironi duke i thënë se më në fund atij i qenka shëruar goja e duke paralajmëruar përgënjeshtrimin e lajmit.

“Më në fund Pandit i qenka shëruar goja se për çështje delikate, i vetmi që nuk duhet të fliste, dhe jo vetëm për flokët e barrdha po edhe për përvojën, duhet të ishe ti. Se e di një gjë që është një makinacion që mungon sot, po si i vjetër në politikë, së paku prit dhe ca orë se do të përgënjeshtrohet dhe shko prapë të dentisti.” – tha Alibeaj.

Ndërkohë Majko iu përgjigj gjithashtu me ironi duke thënë se ‘ka respekt për ata që kanë mjekrën e bardhë e flokët e zinj’.

Deputeti i PS-së shtoi se uronte që ish-kreu i PD-së Basha të mund të shkonte në SHBA dhe që PD-ja të mos e kishte këtë akuzë.

“I respektoj shumë këta që e kanë mjekrën e bardhë dhe flokët e zinj dhe dua të jetë kështu, siç thonë këta, por po e përsëris dhe njëherë. Ajo që keni diskutuar ju dhe midis vedit, është një akuzë e cila dje është ripërsëritur, unë uroj që Basha të shkojë normalisht në SHBA dhe partia që u krijua nga studentët të mos ketë këtë akuzë.” – u përgjigj Majko.