Mediet ndërkombëtare kanë publikuar pamjet nga aksidenti me makinë i mbrëmjes së kaluar të presidentit ukrainas Zelensky.
Pamjet nga Sheshi i Fitores në Kiev tregojnë një Volkswagen Beetle të dëmtuar rëndë me një burrë të plagosur të shtrirë pranë tij, të cilit po i vinin në ndihmë mjekët dhe personeli ushtarak.
Ekipi i Zelenskyt tha se autokolona e presidentit ishte përfshirë në një aksident me një automjet civil në kryeqytet rreth mesnatës së së mërkurës dhe se presidenti nuk u plagos rëndë.
Zëdhënësi Sergiy Nikiforov tha se ekipi i tij mjekësor ndaloi për t’i ofruar ndihmën e parë një civili të lënduar, përpara se personi i plagosur të dërgohej me një ambulancë në spital.
Nikiforov nuk dha detaje për gjendjen e personit apo mbi mënyrën se si ka ndodhur saktësisht përplasja.
Duket se makina në video po shkonte drejt perëndimit nga Kievi kur u godit në pjesën e përparme në anën e shoferit. Pjesa e përparme e makinës është e shtypur me rrotën e përkulur poshtë shasisë, ndërsa airbagu i shoferit është hapur. As Zelensky dhe as kolona e tij e automjeteve nuk duken në video.