Vendosni fjalën kyçe....

Euro prek minimumin e ri historik, kursi me Lekun bie papritur


Kursi i këmbimit eur-lek pësoi një rënie të fortë ditën e enjte dhe preku një minimum të ri historik.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 116.57, në rënie me 0.77 lekë krahasuar me ditën e djeshme. Vlera e shënuar sot është lehtësisht më e ulët se niveli prej 116.6 lekësh, që ishte shënuar në fund të muajit korrik. Euro kishte shfaqur tendencë rënëse graduale prej një jave, por sot rënia është shpejtuar veçanërisht ditën e sotme. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se një rënie në këto përmasa është e papritur dhe mund të shpjegohet kryesisht me transaksione të shitjes në vlera të mëdha nga aktorë të caktuar.

Pasi kishte prekur nivelet minimale historike në muajin korrik, në vijim kursi i euros shënoi një korrektim në rritje. Gjatë muajit gusht, rritja u ndikua sidomos nga kërkesa e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për valutë me qëllim pagesën e importeve të energjisë elektrike. Gradualisht, edhe zbehja e efektit sezonal të lidhur me turizmin bëri që në fillim të shtatorit euro të rritej deri në nivelin e 117.8 lekëve. Por, në ditët e fundit, kursi i euros po shënon një rënie të re, që aktorët e tregut e kanë të vështirë ta shpjegojnë plotësisht.

Sipas agjentëve, rënia e kursit është përcaktuar sidomos nga njëra prej bankave tregtare, që realizon edhe volumet më të mëdha të këmbimeve në tregun valutor. Zakonisht këto luhatje vijnë nga operacione të mëdha që kryhen për llogari të klientëve. Në këtë rast, supozohet se ka pasur shitje në vlera të mëdha të euros nga subjekte të veçanta. Për të dhënë një efekt të tillë, besohet se shuma e shitur duhet të ketë qenë mjaft e madhe, sipër nivelit të pesë milionë eurove.

Burimet nga tregu bëjnë të ditur se deri në mesditë as Banka e Shqipërisë nuk ka pasur një informacion pse ka ndodhur një rënie e tillë. Sidoqoftë, bankat i raportojnë këmbimet valutore në bankën qendrore në fund të ditës dhe shumë shpejt, të paktën për Bankën e Shqipërisë, do të qartësohet volumi i këmbimeve që ka sjellë zhvlerësimin e euros. Ekspertët përjashtojnë që rënia të lidhet me sjellje spekulative nga aktorë të veçantë të tregut, sepse sjellje të tilla nuk lejohen nga Banka e Shqipërisë.

Rënia e fortë e euros duket se e ka suprizuar edhe tregu. Siç ndodh gjithmonë kur kursi ka lëvizje të fortë ditore në njërin kah, agjentët e këmbimit valutor kanë rritur ndjeshëm spread-in ose diferencën mes kursit në blerje dhe atij në shitje. Në të kaluarën momentet e panikut në treg janë zgjidhur menjëherë pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, nëpërmjet operacioneve të shitjes ose blerjes së valutës me bankat tregtare.

Hera e fundit që tregu valutor kaloi një moment të tillë ishte në muajin mars, por në atë rast në kahun e kundërt, kur euro u mbiçmua me afërsisht 5% në harkun e pak ditëve. Sipas agjentëve të tregut, në atë rast paniku erdhi për shkak të blerjeve të mëdha dhe të përqendruara në pak ditë nga KESH. Pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, tregu u qetësua shpejt dhe u kthye gradualisht në nivelet e mëparshme.

Ndërkohë, leku u forcua ndjeshëm sot kundrejt të gjitha valutave të tjera kryesore. Dollari amerikan, pas një forcimi të ndjeshëm ditën e mërkurë, të enjten zbriti sërish në nivelin e 116.53 lekëve. Kursi i valutave të tjera kundrejt lekut reflekton ecurinë e tyre kundrejt euros dhe në dy javët e fundit monedha europiane ka rifituar ndjeshëm terren në tregjet ndërkombëtare. Faktori kryesor ka qenë rritja agresive e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Europiane me 0.75 pikë përqindje, në përpjekje për të reaguar ndaj nivele shumë të larta të inflacionit.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al