Në Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë” në Tiranë u zhvillua aktiviteti “Miq të Klimës”, edicioni i dytë.
Krahas informacionit mbi mbrojtjen e shtresës së Ozonit dhe për efektet e ndryshimeve klimatike, gjatë aktivitetit kishte dhe performanca muzikore, si dhe ekspozim të punimeve në pikturë me tematikë nga mbrojtja e mjedisit. Si një kombinim mes informimit, edukimit dhe argëtimit.
Aktiviteti u realizua nga Qendra ABC Tirana Club me mbështetjen e Njësisë Kombëtare të Ozonit në Shqipëri.
Gjithashtu, në mjediset e Europe House e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, u zhvillua një takim pune mbi procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë evropian për gazrat serë të florinuara, ose siç njihen F-gazrat. Prezentë në këtë akltivitet të Njësisë Kombëtare të Ozonit në Shqipëri. ishin ekspertë, studiues, specialistë që punojnë me sistemet e ftohjes, përfaqësues nga MInistria e Turizmit dhe Mjedisit, pedagogë etj.
Në fokus të diskutimeve ishin aspekte nga draftligji që aktualisht po diskutohet në komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, ku gjerësisht po merren dhe mendime nga ekspertët dhe grupet e interesit.
Shqipëria si një vend aspirant për anëtarësimin në BE ka mjaft angazhime në procesin e përafrimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së, ku mjaft rëndësi në kushtet që duhen plotësuar është dhe ai për F-gazrat.
Dita Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit shënohet çdo 16 shtator, në përkujtim të datës së nënshkrimit të Protokollit të Montrealit “Mbi substancat Ozonholluese”.
Protokolli i Montrealit është një marrëveshje ndërkombëtare, e firmosur më 16 shtator 1987, dhe tani pas 35 viteve konsiderohet si traktati më i suksesshëm mjedisor, që i dha fund një prej kërcënimeve më të mëdha që është përballur ndonjëherë njerëzimi në tërësi: shterimi i shtresës së ozonit.
Përmirësimet kohë pas kohe në Shtresën e Ozonit kanë mbrojtur miliona njerëz nga kanceri i lëkurës dhe katarakti, kanë lejuar ekosistemet vitale të mbijetojnë dhe të lulëzojnë, dhe kanë ngadalësuar ndryshimin e klimës.
Në mesazhin e tij për këtë ditë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB- Antonio Guterres, mes tjerave ka përmendur dhe impaktin e zbatimit të Protokollit të Montrealit.
“Ndërsa vazhdojmë të mbrojmë Shtresën e Ozonit, ajo do të vazhdojë të na mbrojë ne dhe gjithë jetën në Tokë. Do të thotë gjithashtu një planet më i freskët pasi më shumë vende ratifikojnë Amendamentin. Do të thotë që më shumë njerëz të kenë mundësi të përdorin teknologjinë jetike të ftohjes pa ngrohur më tej planetin. Do të thotë gjithashtu që Protokolli të vazhdojë të dërgojë një mesazh të qartë dhe të qëndrueshëm: bashkëpunimi global për të mbrojtur jetën në Tokë është shansi ynë më i mirë për një të ardhme më të ndritshme për të gjithë.”– ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i OKB- Antonio Guterres.
Këtë vit tema kryesore për Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit është “Protokolli i Montrealit: bashkëpunimi global që mbron jetën në tokë”.