Vendosni fjalën kyçe....

Mirëmbajtja e reaktorëve bërthamorë i kushton Francës mungesë të energjisë


Firma shtetërore franceze e energjisë EDF tha këtë javë se pret prodhim shumë më të ulët të energjisë elektrike për shkak të mirëmbajtjes së reaktorëve bërthamorë këtë vit, gjë që do t’i kushtojë kompanisë rreth 29 miliardë dollarë fitime.

Sipas një deklarate të kompanisë, 26 nga 56 reaktorët bërthamorë të EDF-së janë aktualisht jashtë linje, pjesërisht për shkak të çështjeve të korrozionit. Firma, operatori më i madh në botë i centraleve bërthamore, vlerëson se do prodhojë ‘mes 280-300 teravat-orë’ energji elektrike nga centralet e saj bërthamore që operojnë këtë vit, që është një nivel më i ulët 30-vjeçar për prodhimin e energjisë bërthamore.

Drejtori ekzekutiv i EDF, Cedric Lewandowski u tha ligjvënësve këtë javë se pesë reaktorë do rifillojnë në shtator dhe pjesa tjetër pritet të vihet dalëngadalë në punë deri në shkurt. Megjithatë, kompania ende parashikon që prodhimi i saj bërthamor të jetë nën nivelet e vitit 2021 (360 teravat-orë) si në 2023 ashtu edhe në 2024.

EDF aktualisht është në proces të shtetëzimit të plotë. Qeveria franceze, e cila tashmë zotëron 84% të aksioneve të kompanisë, bëri një ofertë prej 9.7 miliardë eurosh për të shtetëzuar ofruesin e energjisë në korrik për ta shpëtuar atë nga borxhi në rritje.

Sipas raporteve, EDF mund të ketë borxh mbi 60 miliardë euro deri në fund të vitit.