Vendosni fjalën kyçe....

Situata pas reshjeve të shiut, Ministria e Mbrojtjes tregon akset e bllokuara dhe ato që janë liruar


Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar pas shirave të një dite më parë. Në një njoftim për mediet, ministria thotë se sot situata në qarkun e Kukës është më e qetë ndërsa në Tropojë ende vijon puna në terren.

“Situata në qarkun e Kukësit, pas reshjeve të ditës së djeshme, sot paraqitet më e qetë. Sipas informacioneve nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, në bashkinë Tropojë ku pati dëme, gjendja është normalizuar, ndërkohë që vazhdon puna në terren nga grupet e punës për eliminimin e pasojave. Në mbështetje të forcave në terren po punojnë mjete dhe forca e batalionit të Xhenios dhe Batalionit të Mbështetjes së Emergjencave Civile.”– thuhet në njoftimin e Policisë.

Ministria ka bërë edhe një listim të rrugëve kur qarkullimi i është rikthyer normalitetit dhe atyre që mbeten ende të bllokuara.

Aktualisht në territorin e bashkisë Tropojë:

– Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht. (Curri-Valbonë,Ura e Bujanit-Qafe Morine, Sopot-Kerrnaj,Qafe Mejdan-Tropojë-Buçaj,B.Curri-Cërrnicë dhe B.Curri –Fierzë)
– Rruga Lekbibaj- Fierzë është e bllokuar nga rrëshqitjet e gurëve, po punohet me mjetet e bashkisë për zhbllokimin e segmentit rrugor Lekbibaj-Sheshi i trageteve Fierzë.
– Po punohet nga grupet e punës së OSHEE për riparimin e defektit në nënstacionin elektrik në Gropë Fierzë dhe rikthimin e energjisë në njësinë administrative Fierzë dhe fshatin Valbonë.
– Në fshatin Degë njësia administrative Fierzë është dërguar një fadromë në mbështetje të komunitetit.
Në qarqet e tjera të vendit situata është e qetë dhe nuk janë vërejtur problematika.