Vendosni fjalën kyçe....

Tropoja më e dëmtuara nga reshjet e dy ditëve të fundit, probleme në 60 fshatra, dëmtohen mbi 260 km rrugë e 14 ura


Qarku i Kukësit e sidomos bashkia e Tropojës kanë qenë më të goditurat nga reshjet e dendura të shiut që përfshinë vendin dy ditët e fundit.

Shirat kanë shkaktuar përmbytje, dëmtim rrugësh, banesash, bujqësi e dëme të tjera materiale në mbi 60 fshatra.

Rrugët lidhëse të Bajram Currit si segmentet Sopot-Kam, Bajram Curri-Fierzë, Lekbibaj-Fierzë, Nikaj Mertur-Fierzë, Margegaj-Bajram Curri etj kanë pësuar dëme pasi ujërat e lumenjve e përrenjve që kanë dalë nga shtrati kanë shkaktuar çarje të asfaltit, prishje të bazamentit e kanë mbuluar asfaltin me gurë, zhavorr e baltë, shkruan Shqiptarja.

Ujin është futur në shumë shtëpi private ndërsa disa prej tyre është dashur të evakuohen.

“Situata shumë e vështirë. Sot situata ka ndryshuar, por na ka lënë pasoja jashtëzakonisht të mëdha. Kemi pasur dëmtime të jashtëzakonshme në rrugë, ura, bazë ushqimore për bagëti, në bagëti, blegtori. Njësitë me dëme më të mëdha, Fierza, Lekbibaj, Tropoja, Bytyqi. Reshje të papara. Nuk janë përllogaritur ende dëmet. Shtëpi të dëmtuara ka mjaft. Falë zotit, larguam njerëzit që ishin në rrezik për jetën. 32 banesa të dëmtuara nga informacioni paraprak. Familjet  e evakuuara janë në Bytyq. Fatmirësisht janë mirë dhe janë kthyer në familjet e tyre. Jemi drejt zhbllokimit të të gjitha fshatrave. Problematike kishim në rezervuarin e Bytyqit.” – ka thënë kryebashkiaku i Tropojës, Rexhe Byberi.