Presidenti amerikan Biden ka thënë se Uashingtoni është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake për të mbrojtur Tajvanin nga Pekini, nëse është e nevojshme, ndërsa këmbëngul se SHBA-ja ende i përmbahet politikës së një Kine dhe nuk po ‘nxit’ pavarësinë e ishullit.
Gjatë një interviste në CBS News të transmetuar të dielën mbrëma, Biden u pyet nëse SHBA-ja do përfshihej drejtpërdrejt për të ‘mbrojtur ishullin’ në një konflikt të mundshëm midis Pekinit dhe Tajvanit, duke përfshirë përdorimin e forcës ushtarake.
“Po, nëse në fakt do të kishte një sulm të paprecedentë.” – u përgjigj Biden. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i shpjegoi më vonë CBS, përpara se të transmetohej intervista, se politika e SHBA-së ‘nuk ka ndryshuar’ dhe se zyrtarisht SHBA-ja nuk ka konfirmuar dhe as mohuar nëse forcat amerikane do të mbronin Tajvanin.
“Pra, ndryshe nga Ukraina, për të qenë i qartë, forcat amerikane, burrat dhe gratë amerikane do të mbronin Tajvanin në rast të një pushtimi kinez?” – pyeti përsëri intervistuesi Scott Pelley.
“Po.” – përsëriti Biden.
Udhëheqësi amerikan, megjithatë, tha gjithashtu se Uashingtoni respekton politikën ‘Një Kinë’, me të cilën pranon se i gjithë territori i Kinës, përfshirë Tajvanin, qeveriset nga Pekini.
“Ne pajtohemi me atë që kemi nënshkruar shumë kohë më parë. Dhe se ekziston një politikë e një Kine, dhe Tajvani bën gjykimet e veta për pavarësinë e tij. Ne nuk po lëvizim, nuk po i nxisim të jenë të pavarur. Ky është vendimi i tyre.”