Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në Pukë: Varfëria sot i ka vënë përpara shqiptarët, kap edhe tregimet e Migjenit


Kryetari i PD-së Sali Berisha po zhvillon një takim me banorët e Pukës dhe Fushë-Arrëzit. Gjatë fjalës së tij, Berisha foli për varfërinë që sipas tij ka vënë përpara shqiptarët.

Sipas tij, varfëria që ka kapluar shqiptarët sot në ndonjë aspekt ndan edhe me tregimet e Migjenit. Kryedemokrati pretendon se rrogat dhe pensionet në vitin 2013 kur ai ishte në pushtet, kanë qenë më të larta në krahasim me rajonin ndërsa sot janë më të ulëtat.

“U falenderoj me shumë mirënjohje për çdo mbështetje që u keni dhënë PD-së. Përulem me nderim të madh para kontributit tuaj në tërë historinë tonë, para shpirtit tuaj punëtor.

Jam sot këtu për të diskutuar së bashku mbi problematikat e mëdha me të cilat përballet Puka dhe Shqipëria.

Çdo shqiptare dhe shqiptar ndjen një dhimbje, një therje në shpirt kur sheh se si po braktiset ky vend, ndërkohë në rast se analizon pasuritë e jashtëzakonshme që ka, këtu mund të begatojë me shpejtësi shumë herë më tepët se sa banorët e këtij vendi.

Shqipërinë sot e ka vënë përpara, shqiptarët sot i ka vënë përpara, para së gjithash varfëria, varfëri krejtësisht e pamerituar, varfëri që në ndonjë aspekt e rast të veçantë kap edhe tregimet e Migjenit. Varfëri e cila shkaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga vjedhja e madhe që u bëhet qytetarëve shqiptarë nga qeveria. Ju them ju vetëm dy fakte.

Nga viti 2013 gjer në vitin 2022, janë marrë borxh 500 miliardë lekë, borxh të cilin e paguan çdo shqiptar se qeveria nuk prodhon asnjë qindarkë. Pra janë marrë borxh 500 miliardë. Janë krijuar të ardhura 400 miliardë. Pra 900 miliardë lekë. Çfarë ka ndodhur me to?

Ju garantoj se me 900 miliardë lekë sot çdo shqiptar duhej të merrte të paktën 3 herë më shumë se sa në vitin 2013 dhe tepronte shumë për investime. Po ku jemi sot dhe pse varfëria i ka vënë përpara shqiptarët? I ka vënë përpara shqiptarët sepse sot rroga mesatare e qytetarëve shqiptarë dhe pensioni mesatar i pensionistve shqiptarë janë të paktën 20-30% më të ulëta se sa në vitin 2013. Në vitin 2013 rroga mesatare dhe pensioni në këtë vend ishin më të lartat në rajon, më të larta se në Serbi, Maqedoni, Bullgari, Rumani, Mal të Zi dhe Bosnjë.

Dhe kjo ishte një arritje e madhe për ne sepse ne nga njerëzit e tretë më të afërt në botë që ishin në 92-shi ia dolëm të lëmë mbrapa shumë kombe që kishin patur më parë rroga më të larta se ne. Sot kemi rrogat më të ulëta në rajon.”– tha Berisha.