Anëtari i Këshillit të PD-së Akil Kraja e ka gjetur veten në një moment shumë të sikletshëm, gjatë një deklarate për mediet.
Ai doli para bashkisë së Tiranës që të fliste për arsimin dhe rënien e numrit të nxënësve, kur është ndërprerë nga një qytetar që po kalonte aty, i cili nisi t’i bërtiste duke e quajtur “hajdut”.
“O hajdut, o i korruptuar, mos e intervistoni atë hajdut.”- dëgjohet në video qytetari.
Kraja u mundua që të qetësonte qytetarin, i cili dukej se nuk qetësohej dot pasi vazhdoi me akuzat ndaj tij.
Gjatë deklaratës së tij, Kraja tha se që prej vitit 2013, numri i nxënësve, gjimnazistëve e studentëve të regjistruar në sistemin arsimor shqiptar ka rënë me 208 mijë e 426 vetë.
Janë dhjetëra mijëra fëmijë të cilët kanë emigruar së bashku me familjet e tyre. Në vitin shkollor që sapo filloi, ai tha se në klasë të parë u regjistruan vetëm 20 mijë e 235 fëmijë, 3 herë më pak sesa regjistroheshin dy dekada më herët.