Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania arrin marrëveshje me Slloveninë për dërgimin e tankeve në Ukrainë


Gjermania dhe Sllovenia kanë arritur marrëveshje, sipas së cilës, Sllovenia do t’i dërgojë 28 tanke të dizajnit sovjetik Ukrainës dhe në këmbim do të marrë 40 kamionë modernë ushtarakë nga Gjermania.

Kështu bëri të ditur më 20 shtator Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë. Megjithatë, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, nuk ka bërë të ditur se kur do t’i dorëzohen tanket Ukrainës.

Marrëveshja parasheh që Sllovenia të dërgojë 28 tanke të llojit M-55S dhe të marrë nga Gjermania 40 kamionë ushtarakë, përfshirë pesë cisterna.

Gjermania ka promovuar marrëveshje të tilla, sipas të cilave, aleatët lindorë të NATO-s i dorëzojnë Kievit pajisje të epokës sovjetike dhe në këmbim marrin pajisje moderne nga Gjermania. Marrëveshje të ngjashme më herët janë arritur me Republikën Çeke, Sllovakinë dhe Greqinë.

Berlini ka argumentuar se kjo është një mënyrë efikase për t’i dërguar Ukrainës pajisje ushtarake me të cilat ushtria e saj është e familjarizuar.

Gjermania deri më tani ka kundërshtuar që Ukraina të furnizohet me tanke të dizajnuara në Perëndim, duke argumentuar se as aleatët e tjerë nuk kanë bërë diçka të tillë. Megjithatë, ka presion nga opozita gjermane që kancelari gjerman, Olaf Scholz, të ndryshojë qëndrim për këtë çështje.

Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, shtetet perëndimore vazhdimisht po dërgojnë pajisje ushtarake dhe municion në Kiev, me qëllim që forcat ukrainase të mund të mbrojnë veten nga pushtimi.

Së fundmi, Ukraina ka nisur një kundërofensivë në rajonin e Harkivit dhe raportohet se deri më tani ka arritur që të largojë trupat ruse nga pothuajse tërë territori i këtij rajoni.