Kryetari i PD-së Sali Berisha ka mbledhur sot grupin Parlamentar të kësaj force politike. I pari që mori fjalën ishte deputeti Luçiano Boçi, më pas kryetari Berisha.
Ai u shpreh se është shpërbërë shteti ligjor, duke iu referuar zhvillimeve të fundit me sulmet kibernetike.
“Në zhvillimet e fundit në vend, çdo e fshehtë që ka ekzistuar në arkivën e vendit për banda dhe kriminelë sot është në treg dhe kjo përbën një zhvillim në pamje të parë shumë tronditës, por kur mendohesh dhe arsyeton, konstaton se banditët më të mëdhenj të këtij vendi, shefat e bandave të vendit janë në Parlament, janë në qeveri, janë në institucione, atëhere është e kotë të dramatizosh diçka që në një vend normal është me të vërtetë dramatike.
Sot pikat tona kufitare qarkullojnë lirshëm, hyjnë dhe dalin të kërkuar dhe të pakërkuar pasi sistemet nuk funksionojnë, por përsëri sot ortakët e tyre hyjnë në Parlament, hyjnë në qeveri dhe hyjnë në institucione që po të krahasosh se pasuritë e krijuara nga ata me akte malavite, krahasuar me ministra e qeveritarë të tjerë me firma e dokumente zyrtare, ato janë thërrime në krahasim me këto të tyre. Është e vërtetë që ishte një sulmi i një fuqie armike por këto kanë ndodhur rëndom nga vetë qeveria dhe bandat e saj. Ajo që po ndodh në Shqipëri, është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor. Shpërbërja totale.”- tha Berisha.
Mbledhja zhvillohet vetëm 5 ditë nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD, që është vendosur të mbahet në 26 Shtator dhe pritet që të merren vendime të rëndësishme për aksionin politik opozitar.